Publicisti Veton Surroi në fjalimin hapës të ceremonisë së ndarjes së çmimeve për gazetari të shkruar dhe letërsi “Rexhai Surroi”, ka treguar një ngjarje se si për nëntë muaj nuk kishte marrë informatën për vdekjen e nënës së një personi të tij të afërt. Në fjalimin e tij Surroi ka thënë se në epokën e digjitalizimit, ku bartja e informatave është aq e lehtë, mund të humbësh një informatë të tillë, shkaku i algoritmeve të kompanive më të mëdha të rrjeteve sociale.
“Dikur dilje në qytet për të parë e për t’u parë. Pije një kafe për të këmbyer informata, mendime dëshpërime e gëzime. Lajmi i mortit ishte aty diku, afishe gazetë, pjesë e hapësirës publike. Tash në Facebook dimë shumë më tepër se kemi nevojë për njëri-tjetrin. Dimë për aq sa na kanë kufizuar algoritmet. Jemi të kënaqur me atë që dimë brenda balonit tonë informativ. Këtë e dëshmojmë duke hapur telefonin çdo moment për të parë se çfarë ka të re në Facebook...Kemi pranuar pa e vënë re shpesh, që një pjesë të marrëdhënieve tona, po ia delegojmë algoritmit...Morti si ngjarje thellësisht njerëzore e shoqërore, humbet pikërisht aty ku humbet hierarkia e vlerave”, tha Surroi.
Ai tha se fjalimi i tij nuk është nostalgji e as refuzim ndaj botës digjitale.