Italia është trualli ku krijuan Bellini, Botticelli, Da Vinci, Michelangelo, Raphaeli e pafund emra të tjerë që Apeninet i ngjitën në panteonin e pavdekshëm të kulturës botërore. Rilindja italiane la pas vetes një trashëgimi vibrante me piktura e skulptura që madhështojnë muzetë, ngrehinat e kishat. Është thënë shpesh madje që Italia është vendi që strehon gjysmën e artit të madh që ka e tërë bota.
Shteti me 60 milionë banorë ka 70 muze shtetërore dhe galeri arti krahas pafund koleksioneve private. Më të njohura prej tyre janë Accademia dhe Collezione Peggy Guggenheim në Venedik, Galleria degli Uffixi dhe Galleria dell’Academia (që ka “Davidin” e Michelangelos) në Firencë, Musei Vaticani, Borghese Gallery dhe Museo Nazionale di Villa Giulia në Romë.
Një shpalim përvojash nga “vendi i muzeve” është transmetuar për publikun në Kosovë nga kuratorja dhe historiania e artit Veronica Carpita me rastin e webinarit “Muzetë, stripat, videolojërat: tre përbërës të një recete për publikun”, të mbajtur online të enjten mbrëma.
Profesoresha e gjuhës italiane, Majlinda Bregasi, e cila ka moderuar webinarin, ka thënë se prej vitesh njihet me eksperten e muzeologjisë, italianen Carpita, me të cilën kishte pasur rastin të bashkëpunonte në disa projekte të ndryshme.
“Sa herë flet për muzetë, ajo është një burim i pashtershëm frymëzimi”, ka thënë Bregasi.
Ndërsa ka filluar rrëfimin e saj, Carpita ka thënë se udhëtimi në Itali është i pamundur pa i vizituar muzetë. Sepse, siç ka thënë ajo, edhe vetë qytetet janë muze në qiell të hapur.
“Nuk janë vetëm arkitektura dhe veprat, por edhe faktorët historikë”, ka thënë ajo teksa ka përkujtuar se deri në bashkimin e Italisë, më 1871, i vetmi faktor përbashkues ishte gjuha. E, megjithatë, as kjo nuk është tamam ashtu siç duket përballë një larushie dialektesh që vështirësojnë komunikimin mes italianëve.
Sipas Carpitas, numri i madh i muzeve sjell edhe sfidën për menaxhimin e tyre, bashkë edhe me përpjekjen e drejtuesve të tyre për të pasur sa më shumë vizitorë.
“Sot më shumë se kurrë është e nevojshme strategjia e muzeve, sepse për shumëkë muzeu është një imazh për një vend me pluhur e të mbyllur”, ka thënë ekspertja italiane. “Muzeu nuk është një kompliment në gjuhën tonë”.
Për Carpitan, e cila është kuratore e shumë projekteve në muzetë italiane, muzetë që nga vitet ’90 filluan të mendonin për strategji të reja. Kështu, pos sektorit të të dhënave, muzetë sot e kanë të pashmangshme edhe një zyrë që përkujdeset për edukimin e të rinjve.
“Në fillim të viteve ‘90, një aktor italian, i veshur si Galileo, vizitonte Firencën, duke bërë një eksperiment interesant me nxitjen e publikut për të vizituar muzetë”, ka treguar ajo.
E, megjithatë, statistikat e muzeve nuk është se janë edhe aq inkurajuese: numrat shpesh janë të ashpër dhe sipas tyre del që të rinjtë i vizitojnë muzetë vetëm kur janë të “detyruar” të bëjnë një gjë të tillë. Pjesa më e madhe e të rinjve italianë vizitojnë muzetë jo nga zgjedhja e tyre, sa nga ngulmimi i familjes, mësuesve apo shkollës.
“S’është e rastësishme që shifrat zbresin në mënyrë vertikale sapo të rinjtë kalojnë moshën 18-vjeçare”.
Carpita, tutje, ka zënë në gojë edhe mënyrat e reja që tangentojnë muzetë: për njohësit e fushës mjaft interesant kishte qenë edhe “fenomeni Ferragni”.
Bëhej fjalë për modelen dhe dizajneren e famshme italiane Chiara Ferragni, e cila në korrik të këtij viti vizitoi galerinë “Uffizi” në Firencë. Drejtuesit e galerisë ishin stepur kur brenda pak ditësh pati një rritje prej 33 për qind sa u përket vizitorëve. Dhe jorastësisht shumica e vizitorëve kishin qenë grupmosha të reja. Ajo që u quajt prej italianëve si “effetto Ferragni” vijoi të sillte rezultate të jashtëzakonshme kudo: modelja vazhdoi me vizita të ngjashme edhe në Romë, Lecce e qendra të tjera muzeale.
Carpita ka folur edhe për atë që e kishte nismuar Muzeu i Luvrit: përdorimi i stripave për të nxitur të rinjtë për t’i vizituar muzetë. Meqë, siç ka nënvizuar ajo, “stripi është një mjet komunikimi i rezervuar për një publik kryesisht të ri”, vitin e kaluar një nga muzetë në Romë kishte nisur projektin “Fumetti nei Musei” (Komikët në muze), duke sjellë artistë kreativë nga mbarë vendi.
Ndryshe, Veronica Carpita është historiane e artit e shkolluar në Universitetin e Pizas, Shkollën Prestigjioze Normale në po këtë qytet, si dhe në Universitetin e Ferraras.
Nga viti 2004, ajo është kuratore e shumë hulumtimeve mbi historinë e koleksioneve të artit mes shekullit XIX dhe XX dhe e disa ekspozitave. Prej 2009-s është një nga autoret e projektit hulumtues kushtuar Lettres italiennes të Nicolas-Claude Fabri de Peiresc (1580- 1637) drejtuar nga Francesco Solinas.
Ka publikuar artikuj, ese, studime dhe libra kushtuar grafikës së shekujve XVI-XVII, muzeologjisë dhe koleksionizmit artistik, antikuariatit dhe natyralizmit të shekullit XVI-XVIII, historisë së koleksioneve të Muzeut të Livornos të shekullit XIX-XX dhe politikave kulturore. Nga viti 2013 është drejtoreshë e Fondazione d'arte Trossi-Uberti në Livorno.
Webinari “Muzetë, stripat, videolojërat” është mbajtur në kuadër të “Javës së Gjuhës Italiane në Botë”, e cila është një ngjarje e përvitshme me qëllim të promovimit dhe përhapjes së gjuhës italiane që është organizuar nën patronatin e Presidencës së Republikës së Italisë, Ambasadës italiane në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës-Tiranë si dhe Universitetit të Prishtinës. Temë e sivjetshme, në edicionin e njëzet me radhë, ishte “Italishtja mes fjalës dhe imazhit: grafite, ilustrime, stripa”, si forma shprehëse që i japin vlerë gjuhës italiane përmes imazheve, me një theks të veçantë në stripa.