Kulturë

“The Handke Project” drejt Hungarisë me rrëfimin për nobelistin mohues të gjenocidit

The Handke Project

“The Handke Project” zhvesh nobelistin si një mohues e mbështetës të gjenocidit të Slobodan Milosheviqit. Shfaqja e dhënë premierë në Prishtinë në qershor të vitit 2022, shkon deri në atë nivel, saqë Handke qëndron mbi një varr dhe nis të shfaqë dyshimet se a bëhet fjalë për një të tillë apo jo. Shfaqja është luajtur në disa qytet evropiane e edhe në Beograd në teatrin “Bitef”

Produksioni i Qendrës “Multimedia” që mbledh një kastë ndërkombëtare në ditën e 21 shkurtit do të ngjitet në skenën e qytezës Bánk, 50 kilometra në veri të Budapestit. Shfaqja që në Kosovë është dhënë premierë në qershor të vitit 2022 do të jepet në qendrën e arteve “Metrin” buzë liqenit të vendbanimit. Kjo shfaqje ka nxitur alamet reagime. Madje ka bërë që edhe vetë austriaku, Peter Handke të kërcënojë një teatër parisien. Udhëtimi për në Hungari e kthen shfaqjen në skenë

Të bëmat e Peter Handkes si mohues i gjenocidit dhe portretizimi që atij i bëhet nëpërmjet një shfaqjeje nga Kosova, janë shpalosur nëpër disa vende të Evropës. Tash është radha që shfaqja “The Handke Project” të jepet në shtetin fqinj të vendlindjes së tij. Hungaria është nikoqiri i radhës për dramën që i heq maskën nobelistit që s’ka treguar fije ndjeshmërie ndaj krimeve kundër njerëzimit, por i ka mohuar ato. Produksioni i Qendrës “Multimedia” që mbledh një kastë ndërkombëtare në ditën e 21 shkurtit do të ngjitet në skenën e qytezës Bánk, 50 kilometra në veri të Budapestit. Shfaqja që në Kosovë është dhënë premierë në qershor të vitit 2022 do të jepet në qendrën e arteve “Metrin” buzë liqenit të vendbanimit. 

Kjo shfaqje ka nxitur alamet reagime. Madje ka bërë që edhe vetë austriaku, Peter Handke të kërcënojë një teatër parisien. Udhëtimi për në Hungari e kthen shfaqjen në skenë. 

“Do të luajmë për herë të parë në Hungari dhe kjo gjë na gëzon. Por përtej kësaj, na gëzon që po e luajmë ‘The Handke Project’, një produksion të suksesshëm ndërkombëtar, që vazhdon të luhet edhe pas pothuajse pesë vjetësh. Në Hungari luajmë në hapësirën e re alternative kulturore ‘Metrin’ në Bánk”, ka thënë autori i dramës, dramaturgu Jeton Neziraj. Ka treguar se janë ftuar nga tetari i pavarur “Maladype” që ka selinë në Budapest. 

“Për prezantimin e shfaqjes në Hungari është duke na ndihmuar edhe Ambasada e Kosovës në Budapest, për çka u jemi shumë mirënjohës”, ka thënë Neziraj. 

Shfaqja është dhënë në shumicën e vendeve të Ballkanit, përfshirë Serbinë. Pastaj në Itali, Gjermani, Francë. Pos këtyre edhe është isnkenuar në Norvegji. Ka fituar disa çmime dhe ka ngjallur shumë reagime. 

Shkrimtari austriak, fitues i çmimit “Nobel” për letërsi më 2019 do të reagonte fort më 2024 kur shfaqja nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt është dhënë në Paris. Peter Handke jeton në periferi të kryeqytetit francez. “Theatre-Studio” në platformat e veta kishte lansuar datat e shfaqjeve e po ashtu kishte bërë edhe nga një përshkrim për këto produksione. Krejt kjo ka bërë që avokati i Handkes t’i drejtohet me letër institucionit teatror. 

“Dy shfaqje të një drame të titulluar ‘The Handke Project’ janë lansuar në faqen tuaj, por edhe me e-maile dhe padyshim në mjete të tjera. Në këto njoftime bëhet e ditur se shfaqja është ‘një broshurë teatrale, si reagim ndaj çmimit ‘Nobel’  dhënë Peter Handkes – ky i fundit gjithmonë ka mohuar apo minimizuar krimet e Millosheviqit në ish-Jugosllavi’. Kjo e bën Peter Handken një mohues dhe si të tillë dëshmojnë se janë seriozisht shpifëse. Ky i fundit më kërkon t‘ju kujtoj se ‘Nouvel Observateur’ u dënua për shpifje publike ndaj tij, për një artikull që thoshte saktësisht të njëjtën gjë”, shkruhej në letrën e avokatit Luc Brossolet drejtuar drejtorit të “Theatre-Studio”, Christian Benedetti. 

Por stafi i Qendrës “Multimedia” e letrën e Handkes e kishte bërë pjesë të shfaqjes. 
“The Handke Project” zhvesh nobelistin si një mohues e mbështetës të gjenocidit të Slobodan Milosheviqit. Shfaqja e dhënë premierë në Prishtinë në qershor të vitit  2022, shkon deri në atë nivel, saqë Handke qëndron mbi një varr dhe nis të shfaqë dyshimet se a bëhet fjalë për një të tillë apo jo. 
Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur Masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në atë masë që Handke i ndryshon edhe situatat që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët e detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij, Nermin, të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”. Në shfaqje mësues i tij ideologjik është dora e djathtë e Adolf Hitlerit, shefi i propagandës naziste, Joseph Goebbels. 

Shfaqja “The Handke Project” kishte ngjallur reagime të forta në Podgoricë në vitin 2023. 

Juria e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) e kishte vlerësuar shfaqjen si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet duke e vlerësuar si me Çmimin për shfaqjen më të mirë. Pos kësaj, Çmimi aktori më i mirë në edicionin e 38-të i ka takuar aktorit nga Kosova me karrierë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj. 

Asokohe, mediat nacionaliste menjëherë kishin nisur propagandën për kapitull të kërcënimeve për “tradhti, fushatë antiserbe a skandal” e deri te cilësimet se ky qe një “sulm” me një shfaqje nga “Kosova terroriste”. Titujt sensacionalë, si ai “Skandal në Mal të Zi! Shqiptarët nga Kosova e Metohia në Podgoricë organizojnë shfaqjen antiserbe”, i tabloidit “Alo.rs” qenë të pranishëm. Aty shënjestrohej edhe dramaturgia serbe Bilana Srblanoviq, që ka bashkëpunuar me ekipin e shfaqjes. Po ashtu, edhe institucioni nikoqir i shfaqjes në kryeqytetin e vendit të shkëputur prej Serbisë më 2006, anëtar i NATO-s e aspirues për Bashkimin Evropian, por që shpesh sfidohet edhe prej partive parlamentare serbe, të cilat në programe kanë edhe tërheqjen e njohjes së Kosovës. Një imazh si ky ishe gati kopje e atij të qershorit të vitit 2022 kur shfaqja u dha në Beograd. Disa tabloideve në Serbi – si “Srpski Telegraf” –  do t’u dilte punë me shfaqjen duke e cilësuar “provokim të rëndë” njësoj sikurse edhe intervista e aktorit Arben Bajraktaraj, të cilin publiku serb e njihte, ndër të tjera, nëpërmjet serialit televiziv “Besa”. Intervista e tij për revistën “NIN” ishte  “analizuar” në detaje, njësoj sikurse edhe shfaqja. Anash qasjes së tabloideve, në këtë temë kishin folur edhe figura që nuk janë pa emër në qarqet kulturore në Serbi.