Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vepra njëmilionëshe e Picassos shitet për 100 euro

Tete de Femme

“Tête de Femme” e Picassos vlerësohet së paku 1 milion euro por u shit për 100 euro me fushatën “1 Picasso për 100 euro”

Një pikturë e artistit të famshëm spanjoll Pablo Picasso, e vlerësuar mbi 1 milion euro, është shitur sa fatura e një darke në Paris. Ari Hodara është fituesi fatlum i shortit “1 Picasso për 100 euro”, i cili u ofronte pjesëmarrësve mundësinë për t’u bërë pronar i veprës së vitit 1941 “Tête de Femme”. Çmimi i një bilete ishte — siç sugjeron edhe emri i shortit – 100 euro. Në total ishin në dispozicion 120 mijë bileta dhe të ardhurat do t’i dhurohen Fondacionit për Kërkimin e Alzheimerit, i cili mbështet kërkime klinike për këtë sëmundje në të gjithë Evropën. Hodara, i cili bleu biletën fituese me numrin rendor 94715 fundjavën e kaluar, është një adhurues arti nga Parisi që punon duke shitur softuerë. Lajmi se tani zotëron një Picasso ishte një surprizë e madhe për të.

“Si mund ta verifikoj që ky nuk është një mashtrim?”, pyeti ai në telefon kur Péri Cochin, një nga organizatorët e shortit, i tregoi rezultatin gjatë një eventi të transmetuar live. Kaloi në video-telefonatë dhe i tregoi audiencën. “A mund të jesh i pakënaqur që fiton një Picasso? Jo, s’e besoj”, tha Hodara duke qeshur. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kur më telefonoi mendova se ishte mashtrim, se ishte karrem”, ka thënë ai për CNN-in të mërkurën, duke iu referuar telefonatës së Cochinit.

“Isha shumë, shumë i befasuar, shumë i emocionuar”, ka shtuar ai. “Është një ëndërr, nuk e kam menduar kurrë se do të zotëroja një vepër të Picassos. Nuk është në mundësitë e mia. Zakonisht do t’i shihja vetëm në muze”. Hodara ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do ta mbajë veprën në shtëpi në të ardhmen. Për momentin, ajo do të qëndrojë në kasafortën e shtëpisë së ankandeve “Christie’s”, e cila organizoi shortin. Kjo është hera e tretë që zhvillohet një fushatë e tillë. “1 Picasso për 100 euro”, u mbajt për herë të parë në vitin 2013, me fondet që u dhuruan për ruajtjen e qytetit historik Tyre në Libanin jugor. Një edicion i dytë në vitin 2020 mbështeti programet për ujë të pastër dhe higjienë gjatë kulmit të Pandemisë COVID-19. 

Olivier Widmaier Picasso, nipi i artistit legjendar spanjoll, i ka thënë CNN-it se gjyshi i tij e realizoi “Tête de Femme” në të njëjtën studio ku pikturoi kryeveprën e tij “Guernica”.

Ai ka thënë se beson që kjo vepër është nënvlerësuar. “Vlen shumë më tepër se 1 milion dollarë”, ka thënë ai, “prandaj do të jetë një çmim i madh”. 

Veprat e Picassos kanë arritur çmime marramendëse në ankande edhe më parë. “Les Femmes d’Alger u shit për më shumë se 179 milionë dollarë në vitin 2015. “Galeria Opera”, e cila e dhuroi pikturën, ka thënë se Pablo Picasso ishte në Paris kur pikturoi “Tête de Femme”. Lufta e Dytë Botërore kishte shpërthyer në Evropë dhe një pjesë e madhe e Francës ishte nën pushtimin gjerman.
“Tête de Femme” është rreth 38 centimetra e lartë dhe 25 centimetra e gjerë. Shprehja e gruas, e pikturuar në nuanca të ndryshme të së hirtës, është qëllimisht e deformuar në stilin karakteristik kubist të Picassos. “Galeria Opera” thotë se kjo pikturë pasqyron një moment introspeksioni dhe pune të përqendruar në studio. Widmaier Picasso ka thënë se një mik i tij doli me idenë e iniciativës “1 Picasso për 100 euro”. “Ajo mendoi se ishte një vizion modern i bamirësisë duke u dhënë njerëzve mundësinë të fitojnë një vepër të vërtetë të gjyshit tim dhe të marrin pjesë në aksione humanitare”, ka thënë ai. Widmaier Picasso beson se gjyshi i tij do ta mbështeste këtë iniciativë. “Gjyshi im ishte pionier në shumë mënyra”, ka thënë ai. “Mendoj se ai ishte gjithmonë shumë i interesuar të merrte pjesë në gjëra të reja. Do të thosha se sot do të ishte i interesuar për video ose ndoshta për Inteligjencën Artificiale”. Widmaier Picasso kishte thënë se kushdo që e fiton “Tête de Femme” është i lirë të bëjë çfarë të dojë me të. Fituesi i konkursit të parë, për shembull, vendosi ta ekspozojë çmimin në një muze. “Kushdo mund të bëjë çfarë të dojë”, ka thënë ai. “Mund ta mbajnë në dhomën e ndenjës, mund ta ekspozojë — ose mund ta rishesë”. Ai ka thënë se gjyshi i tij do të ishte dakord që fituesi të vendosë vetë, sepse kështu vepronte edhe ai. Ka treguar se gjyshja e tij, Marie-Thérèse Walter, e cila ishte vetëm 17 vjeçe kur Picasso filloi një lidhje romantike me të, u mbulua me vepra arti. Në atë kohë artisti ishte rreth të dyzetave i martuar dhe kishte një djalë të vogël. Tiparet e Marie-Thérèse Walter u shfaqën në veprat e Picassos gjatë dekadës së ardhshme. Widmaier Picasso thotë se gjyshi i tij e shpërbleu atë për vitet e frymëzimit. “Kur gjyshi im jepte vepra arti, ishte një vendim – bëj çfarë të duash me to. Pablo i dha shumë vepra të dashurës së tij dhe ajo i mbajti të gjitha deri në vdekje. Kështu që unë po ofroj të gjitha mundësitë”.