Kulturë

Veprat e Çettës botohen pas zvarritjes pesëvjeçare, shtatorja pa vend

Mijëra familje të hasmëruara në Kosovë ia shtrinë dorën e pajtimit njëra-tjetrës. I dashur për të gjithë, Plaku i Urtë, siç njihej gjithandej në popull, Anton Çetta, u bë simbol i pajtimit mes njerëzve në orën e ligë të historisë. 25 vjet më parë, më 3 nëntor të 1995-s, ai do t’i mbyllte sytë përgjithmonë për të lënë pas vetes kujtimin e paharruar të pajtimit të gjaqeve dhe mbledhësit të lëndës së pasur folklorike shqiptare.

Ndërsa të martën është përkujtuar nga miq e bashkëpunëtorë të shumtë, ditëvdekja e Çettës është shënuar me nxjerrjen në dritë të kompletit me 13 vëllime të veprës së plotë të tij. Lajmin për botimin e tyre e ka bërë të ditur gjatë ditës ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila tok me ministren Hykmete Bajrami dhe profesor Riza Krasniqin kanë bërë homazhe pranë varrit të tij në Prizren.

Sipas ministres Dumoshi, institucionet e Kosovës e kanë obligim që historinë ta kujtojnë dhe nderojnë brenda të gjithë mekanizmave institucionalë.

Homazhi, sipas saj, ishte “rikujtim dhe përulje për angazhimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pajtimin e mijëra familjeve të hasmuara dhe në çrrënjosjen e dukurisë së keqe të gjakmarrjes”.

“Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve bëri që viti 1990 të futej në histori si viti kur kjo plagë do të zhdukej rrënjësisht”, ka shkruar Dumoshi.

Ajo, po ashtu, njoftoi për botimin e kompletit të veprave në 13 vëllime të Anton Çettës, që përfshijnë përmbledhje folklorike, krijime për fëmijë, kërkime folklorike, balada dhe legjenda, këngë kreshnike, vlerësime të të tjerëve për Çettën, aksionin e pajtimit të gjaqeve, si dhe intervista e letërkëmbime.

I financuar nga Ministria e Arsimit në vlerë prej 42 mijë eurosh, vepra ishte gati për botim qysh në vitin 2015 nga Dega e Folklorit pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës.

“Kishim dy vjet kohë deri më 2015, kur edhe bëheshin 20 vjet prej kur ishte ndarë profesori nga jeta dhe me këtë rast mendonim se do të mund të botohej dhe promovohej i tërë korpusi i veprës së tij. Në fakt, ashtu edhe punuam. Por këto vëllime, edhe pse të kompletuara, u deshën të presin gjatë dritën e botimit...”, pati thënë në maj Arbnora Dushi, udhëheqëse e Degës së Folklorit në IAP, në kohën kur u hap tenderi për konkretizimin e kompletit që përbëhet nga: “Krijime poetike për fëmijë në prehër të gjyshes - Vjeti gazmuer”, “Nga folklori ynë I – Përralla e gojëdhëna”, “Nga folklori ynë II – Kallëzime dhe përrallëza”, “Nga folklori ynë III – Pleqni dhe tregime etnografike”, “Nga folklori ynë IV”, dy vëllime me “Kërkime folklorike”, “Balada dhe legjenda”, “Këngë kreshnike I”, “Materiale të ndryshme ‘Varia’”, “Të tjerët për veprën e Anton Çettës”, “Anton Çetta dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve” dhe “Intervista dhe letërkëmbime”.

IAP-i kishte pasur në program të punës përurimin e kompletit, por përkeqësimi i gjendjes me pandeminë ka bërë që përurimi të shtyhet derisa të ketë lehtësim të masave.

Në një prononcim për KOHËN, drejtori i IAP-it, Hysen Matoshi, ka thënë se përurimi i kompletit të veprave të Çettës, ashtu sikundër edhe konferenca vjetore “Java e Albanologjisë” janë shtyrë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e të gjitha tubimeve, konferencave e seminareve.

“Natyrisht, sapo të krijohen rrethanat e përshtatshme shëndetësore këto aktivitete do të mbahen”, ka thënë Matoshi teksa ka njoftuar se kompleti është botuar në një tirazh prej 1 mijë kopjesh.

Ditë më parë, me kërkesë të MKRS-së, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti ka shpallur muajin nëntor si “Muaji i Anton Çettës”, duke miratuar edhe programin e aktiviteteve përkujtimore.

Kështu, përurimi i Kullës së Fazli Buqollit në Raushiq, themelimi i çmimit “Anton Çetta”, si dhe ekspozita, filma dokumentarë e simpoziume shkencore në dy kryeqendrat shqiptare, Prishtinë e Tiranë, janë disa prej aktiviteteve kryesore që do të mbahen gjatë këtij muaji.

Image

Shtatorja e Çettës, e derdhur në bronz qysh në fund të 2018-s, do të qëndrojë edhe një kohë në atelie në pritje të vendosjes në lokacionin përfundimtar

Por, megjithatë, në 100-vjetorin e lindjes së Çettës nuk është jetësuar premtimi i kahershëm për vendosjen e shtatores së tij në kryeqytet. E derdhur në bronz qysh në tetor të 2018-s, ajo edhe për një kohë do të qëndrojë në atelienë e skulptorit ferizajas Agon Qosa.

Ka qenë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që të martën ka riaktualizuar çështjen e shtatores për Çettën. Në një postim të afishuar në faqen e saj në “Facebook”, ajo ka vlerësuar se një shtatore për Plakun e Urtë do t’i bënte nder kryeqytetit dhe gjithë Kosovës.

“Si kryetare e Kuvendit do t’i propozoj Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, ka shkruar Osmani.

Në të vërtetë, në fillim të këtij viti kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte paralajmëruar zyrtarizimin e lokacionit të shtatores së Anton Çettës në parkun e ri që do të krijohet pas përfundimit të ndërtimit të parkingut nëntokësor, në hapësirën mes Fakultetit të Filologjisë dhe Katedrales.

E propozimit të bërë nga kryekuvendarja Osmani, nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, i është kundërpërgjigjur duke kritikuar partinë e Osmanit. Sipas tij, LDK-ja qe 20 vjet ishte në të gjitha nivelet e pushtetit, por nuk pati kurajën për të gjetur një lokacion meritor për shtatoren e misionarit të pajtimit.

“Komuna e Prishtinës tashmë ka përcaktuar lokacionin për vendosjen e kësaj shtatoreje”, ka thënë Pacolli, duke njoftuar se në seancën e radhës në Kuvendin Komunal do të vendoset për këtë çështje.

“Njëra nga pikat e rendit të ditës do të jetë votimi i lokacionit për vendosjen e shtatores para Fakultetit të Filologjisë”.

Vetë skulptori ferizajas, Agon Qosa, ka parapëlqyer më shumë lokacionin në oborrin e Kuvendit të Kosovës, pasi që aty, sipas tij, do të theksohej më shumë.

“Personalisht do të kisha pëlqyer sikur të vendosej pranë Ministrisë së Kulturës, por kjo çështje do të vendoset nga institucionet”, ka thënë Qosa. Në fillim të marsit atë e kishte vizituar në atelie nënkryetari i Prishtinës, Pacolli, i cili e kishte njoftuar për planin e Komunës.

E në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale kanë thënë se para një muaji e gjysmë kishin nisur për të dytën herë një shkresë në adresë të Asamblesë Komunale të Prishtinës për përcaktimin e pronës për vendosjen e shtatores së profesor Çettës.

“Sot e kësaj dite ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, ka thënë drejtori i kësaj agjencie, Bislim Zogaj. “Për ne, si agjenci, kudo që të caktohet hapësira për vendosjen e kësaj shtatoreje do të jetë e pranueshme”.

Shtatorja e Qoses, në vlerë prej 60 mijë e 800 eurosh, ishte zgjedhur më e mira në konkursin, në të cilin kishin marrë pjesë edhe Agron Blakçori, Idriz Balani, Agron Bytyçi, Maks Mero e Izeir Mustafa.

Për pamjen e shtatores kishin votuar njëzëri skulptori Burim Canolli, kryesues i komisionit, dhe anëtarët Ilir Balaj, po ashtu skulptor, Jetullah Sylejmani, piktor, arkitektja Donika Çetta, e bija e Anton Çettës, dhe inxhinieri Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit iniciues për ngritjen e shtatores. Ky komision ishte emëruar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

Ndërkaq problemet për lokacionin janë një histori më vete. Në shkurt të 2017-s vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Institutit Albanologjik të Prishtinës me Komunën e Prishtinës e Ministrinë e Arsimit. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it.

Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati njëvjeçar pëlqimit për vendosjen e shtatores. Në korrik të vitit të kaluar gazeta kishte raportuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës zyrtarisht kishte refuzuar kërkesën që shtatorja e Çettës të vendosej në oborrin e këtij institucioni. Për udhëheqësit e IAP-it oborri nuk ishte vend adekuat për shtatoren e Çettës.

Ndërkohë, vendosja e shtatores do të jetë pjesërisht e varur edhe nga ndërtimi i parkingut nëntokësor në hapësirën prej 1.4 hektarësh pranë Fakultetit të Filologjisë. Sipas kontratës të nënshkruar me konsorciumin italiano-kosovar “Jaha & Pessina”, brenda 18 muajsh parashihet parkingu dykatësh me 23 mijë metra katrorë, që do të ketë rreth 700 vende për vetura.

Brenda tij është paraparë edhe një galeri e hapur, amfiteatër, kthina të vogla për shërbime komunale, si dhe 500 metra katrorë hapësirë për veprimtari komerciale. Mbi këtë parking do të vendoset edhe plateja bashkë me hapësirën e gjelbëruar.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se vendosja e shtatores së Çettës nuk është e lidhur domosdoshmërisht me përfundimin e punimeve.

“Sapo të kryhen punët e vrazhda të autoparkingut, shtatorja do të mund të vendoset në një nga cepat e pllakës”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se lokacioni është caktuar edhe në konsultim me familjen Çetta.

I lindur në Gjakovë më 3 janar të vitit 1920, Anton Çetta shkollimin fillor e nisi në Prizren, për ta vazhduar më tej në Tiranë pas shpërnguljes së familjes së tij. Në këtë qytet e nisi shkollimin e mesëm, të cilin do ta vazhdonte tutje në Liceun e Korçës. Si shumë të rinj shqiptarë, Çetta do të kryente Liceun Klasik në Milano të Italisë. Më 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin hyrë në Kosovë e Maqedoni, gjakovari 21-vjeçar do të ngarkohej me detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren, e cila funksiononte në kuadër të asaj në Tiranë. Pas një kohe të kaluar si mësimdhënës në Gjimnazin e Prizrenit, Çetta do t’i vazhdonte studimet universitare në romanistikë në Universitetin e Beogradit, ku punoi një kohë si asistent në Degën e Albanologjisë. Së bashku me Vojislav Dançetoviqin dhe Kadri Halimin përgatiti tri vëllime këngësh popullore të mbledhura në Kosovë. Më pas u kthye në Prishtinë, ku u emërua mësimdhënës i lëndëve, letërsia e vjetër shqiptare, histori e letërsisë dhe gjuhë latine. Në vitin 1968 kaloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku udhëhoqi Degën e Folklorit. Shkroi edhe poezi për fëmijë, hartoi tekste shkollore dhe përktheu vepra të ndryshme letrare. Që nga vitet ’50 deri në fillim të viteve ’90 përgatiti për botim një sërë veprash me njësi folklorike nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Për shumë vjet në Kosovë, mbledhja, arkivimi dhe botimi i folklorit u lidhën me emrin e tij.