Kulturë

Vidhen statujat romake në Muzeun Kombëtar të Sirisë

Skulptura antike të ekspozuara në ekspozitën “Bota e gruas”, në Muzeun Kombëtar të Sirisë në Damask, në maj të vitit 2025

Skulptura antike të ekspozuara në ekspozitën “Bota e gruas”, në Muzeun Kombëtar të Sirisë në Damask, në maj të vitit 2025

Foto: Associated Press

Hajdutët kanë hyrë me forcë në Muzeun Kombëtar të Sirisë dhe kanë vjedhur disa statuja të lashta që datojnë që nga epoka romake, kanë thënë të martën zyrtarët sirianë, raporton “Associated Press”. 

Muzeu Kombëtar i Damaskut u mbyll për një kohë të shkurtër pasi grabitja u zbulua të hënën në mëngjes. Muzeu ishte rihapur në janar, derisa vendi po rikuperohej nga lufta civile 14-vjeçare dhe rënia e sundimit 54-vjeçar të familjes al-Assad, vitin e kaluar.

Muzeu më i madh i vendit strehon artefakte të paçmueshme. Pasi filloi lufta civile në mars 2011, siguria u përmirësua me porta metalike dhe kamera mbikëqyrjeje dhe autoritetet zhvendosën qindra objekte në Damask nga i gjithë vendi.

Një zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikiteteve dhe Muzeve të Sirisë ka thënë se gjashtë statuja mermeri ishin vjedhur dhe se një hetim ishte në vazhdim e sipër.

Një zyrtar tjetër ka thënë se grabitja kishte ndodhur të dielën në mbrëmje dhe ishte zbuluar kur një nga dyert në departamentin e epokës klasike ishte gjetur e thyer.

Të dy zyrtarët folën në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret, pasi qeveria ende nuk kishte bërë një deklaratë.

Shefi i Policisë në Damask, gjenerali i Brigadës, Osama Atkeh, më vonë ka thënë se disa statuja dhe objekte të rralla të koleksionit ishin vjedhur nga muzeu. Ka thënë se rojat dhe të tjerë individë po merren në pyetje. Një gazetari të “Associated Press” nuk iu lejua hyrja në muze dhe iu kumtua se fotografimi nuk është i lejuar. 

Drejtoria e Përgjithshme për Antikitete dhe Muze, në një deklaratë më vonë gjatë ditës ka shkruar se kishte nisur një hetim dhe se ishin marrë menjëherë masa për të garantuar sigurinë e eksponateve të Muzeut. Nuk u bë e ditur se çfarë ishte vjedhur, duke cekur vetëm se “disa eksponate” janë zhdukur.
Seksioni i Muzeut ku u raportua se statujat ishin vjedhur është një departament i bukur dhe historikisht i pasur me objekte që datojnë që nga periudhat helenistike, romake dhe bizantine.
Muzeu u rihap më 8 janar, një muaj pasi rebelët rrëzuan presidentin Bashar al-Assad, duke sjellë një epokë të re për vendin.

Vitet e konfliktit kishin prekur zonat, përfshirë qytetin historik qendror të Palmyras, dikur të mbajtur nga grupi i Shtetit Islamik.

Në vitin 2015, anëtarët e ISIS-it shkatërruan monumentin e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO-ja i cili është i famshëm për kolonat romake 2000-vjeçare, rrënojat e tjera dhe artefaktet e paçmuara.