Kulturë

“WTF?!” pa përgjigje fsheh thirrjen e “Anibarit” për hutim

Programin e vjetshëm nën temën “Smash the Patriarchy!” si ftesë për të thyer patriarkatin në shoqëri, “Anibari” sivjet e vazhdon me “WTF?!”, si ftesë për të ngritur pikëpyetje

Programin e vjetshëm nën temën “Smash the Patriarchy!” si ftesë për të thyer patriarkatin në shoqëri, “Anibari” sivjet e vazhdon me “WTF?!”, si ftesë për të ngritur pikëpyetje

Kur e lansoi temën e sivjetme, festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” e bëri të qartë paralajmërimin se nuk ofron përgjigje, por thërret për hutim. Një kohë të trazuar nga luftërat, krizat klimatike dhe konfuzioni kolektiv. “‘WTF?!’ nuk është një temë konceptuale, është një reagim i sinqertë, i papërpunuar dhe i ndjeshëm ndaj asaj që po ndodh rreth nesh”, ka thënë të martën drejtoresha organizative e “Anibarit”, Arba Hatashi

Me një britmë që është njëkohësisht pyetje, protestë dhe poezi, festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” po hyn në edicionin e tij të 16-të nën temën “WTF?!”. Prej 14 deri më 20 korrik, Peja do të shndërrohet sërish në një skenë ku arti takohet me absurditetin, ku satira i përgjigjet kaosit global, dhe ku animacioni bëhet medium i shqetësimeve më të thella njerëzore. Në një kohë të trazuar nga luftërat, krizat klimatike dhe konfuzioni kolektiv, “Anibar” nuk premton përgjigje, por çel një hapësirë për ndjenja, sfida dhe mendime të lira.

Sivjet festivali paraqitet si një shpërthim emocional dhe tematik që duket se fton në ballafaqim me realitetin e paqartë të kohës. Në njoftimin e publikuar nga Festivali Ndërkombëtar i Animacionit flitet për absurditetin, për hutimin kolektiv, për krizën dhe për ndjesitë e ndryshme që i shoqërojnë ato – nga ankthi deri te shpresa. Programin e vjetshëm nën temën “Smash the Patriarchy!” si ftesë për të thyer patriarkatin në shoqëri, sivjet e vazhdon me “WTF?!”, si ftesë për të ngritur pikëpyetje. Tema tashmë është lansuar. 

“Nuk po ofrojmë përgjigje. Po bëjmë thirrje për hutim. I mirëpritur është tmerri ekzistencial. Edhe shpresa. Edhe zemërimi. Çfarëdo që është kjo ndjesi që po na shoqëron. Sivjet, ‘Anibari’ është shesh lojërash për pasigurinë. Ku arti takon kolapsin. Ku animacioni dëfton botë të reja e të moçmet digjen. Ku qeshim me qëllim që të mos qajmë. Edhe qajmë. Nuk ka dert”, qe paralajmërimi i “Anibarit”. 

Shtyllë të “Anibarit” janë filmat e animuar e në këtë edicion festivali pritet t’i ketë gjashtë kategori garuese: Gara ndërkombëtare me 19 filma të shkurtër nga e gjithë bota, Gara ballkanike me 7 filma nga rajoni i Ballkanit, Gara studentore me 27 filma nga studentët, Gara e video-animacioneve muzikore me 29 video-animacione, Gara për të drejtat e njeriut me 7 filma për drejtësinë, si dhe Gara e audiencës së re me 31 filma nga të rinjtë. Përveç tyre, festivali do t’i ketë edhe tri kategori jogaruese me po aq rëndësi: Kategoria e dokumentarëve të animuar me 5 filma, Kategoria e punëve të kontraktuara me 24 krijime, si dhe Kategoria eksperimentale me 13 filma.

“WTF?!” paraqitet si shpërthim emocional që pasqyron shqetësimin – jo vetëm racional, por edhe emocional – të një brezi që kërkon kuptim mes krizave. 

Organizatorët e “Anibarit” e përshkruajnë temën si “të papërpunuar dhe të ndjeshëm ndaj asaj që po ndodh rreth nesh”, duke sjellë në fokus reagimin e njerëzve dhe artistëve në pasigurinë ekzistenciale që krijohet nga tensionet globale.

Drejtoresha organizative e festivalit, Arba Hatashi, ka treguar se sikurse në edicionet e kaluara, edhe sivjet “Anibari” është hapësirë e guximshme për debat, sensibilizim dhe aktivizëm të hapur përmes animacionit. Këtë traditë e vazhdon edhe me temën “WTF?!”, që fton në kaos, por nuk jep udhëzime.
“‘WTF?!’ nuk është një temë konceptuale, është një reagim i sinqertë, i papërpunuar dhe i ndjeshëm ndaj asaj që po ndodh rreth nesh. Është thirrje e brendshme që përmbledh hutimin kolektiv, zemërimin, të qeshurat, ankthin, dhe dëshirën për kuptim në kohë të turbullta. Pas dy edicionesh me tema të rënda dhe të strukturuara ‘Smash the Patriarchy’ dhe ‘LOVE’, këtë vit dëshirojmë të hapim një hapësirë më të lirë, ku artistët dhe publiku mund të reagojnë emocionalisht, spontanisht dhe socialisht pa ndonjë kufi të paracaktuar”, ka thënë drejtoresha Hatashi në një përgjigje për KOHËN.

Tema, sipas saj, ka lindur nga “një ndjenjë globale e kaosit”. Luftërat, krizat politike dhe ekologjike, polarizimet dhe pasiguritë ekonomike i kanë dhënë shkas reagimit që nuk kërkon zgjidhje, por përmirëson hapësirën për reflektim të përbashkët.

“Në thelb, tema është rezultat i një ndjenje globale të kaosit. Gjendja e përgjithshme në botë e mbushur me pasiguri, tensione, polarizime, kriza të vazhdueshme sociale, politike, mjedisore, pasiguritë ekonomike, dhe luftërat ka ndikuar thellësisht në mënyrën si e përjetojmë realitetin dhe duke e gjetur veten në situata ku vazhdimisht po shtrohet pyetja ‘Çfarë po ndodh?!’”, ka shpjeguar ajo konceptin e temës së këtij edicioni.

Kjo tregon qartë se “WTF?!” nuk është deklaratë e qëllimshme – por një thirrje pa filtrime, ku audienca dhe artistët bashkëjetojnë me hutimin dhe emocionet e kohës.

“Kjo ndjesi kolektive e kaosit, e të papriturës dhe e ngarkesës emocionale ka ushqyer nevojën për një reagim që nuk është vetëm racional, por edhe emocional dhe spontan. Kështu lindi ‘WTF?!’, jo si një temë e thjeshtë, por si një mënyrë për të shprehur zërin e brendshëm të një gjenerate që po kërkon kuptim në një botë që shpesh nuk ka më përgjigje të qarta. Në vend se të ofrojmë zgjidhje të gatshme, e kemi zgjedhur të ndajmë hapësirën e festivalit për reflektim të përbashkët dhe përballje me absurditetin që na rrethon”, ka thënë Hatashi tutje.

Me një qasje më spontane dhe eksperimentale, sipas Hatashit, ky edicion do të ketë përmbajtje filmike më të larmishme, performanca muzikore, punëtori, diskutime, hapësira bashkëpunimi dhe përfshirje të artistëve të rinj lokalë e ndërkombëtarë.

“Ky edicion shënon një kthesë drejt spontanitetit dhe eksperimentimit. Po e lejojmë veten të jemi më të çrregullt, më të guximshëm dhe më të ndjeshëm. Përmbajtja filmike është më e gjerë nga kategoritë dhe narrativat, duke reflektuar absurditetin dhe kohën që po jetojmë”, ka thënë Hatashi, duke shtuar se kanë rritur përfshirjen e gjeneratave të të rinjve në program, ku janë fokusuar në zhvillimin e industrisë së animacionit të Kosovës përmes “Anibar Pro”. 

“Po e shtrijmë përvojën e audiencës së gjerë përmes një programi të festivalit që po vazhdon të shkojë përtej ekranit, duke përfshirë performanca muzikore nga artistë ndërkombëtarë dhe kombëtarë, diskutime, punëtori, prezantime, programe të veçanta, dhe hapësira për bashkëveprim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, përmes animacionit mund të krijohen realitete të reja, pa pasur nevojë të shkohet binarëve të logjikës fizike.

“Animacioni ka një fuqi unike, mund të krijojë realitete të reja pa qenë i detyruar t’u bindet kufijve të logjikës fizike apo kinematografisë tradicionale. Kjo e bën atë një mjet të jashtëzakonshëm për të reflektuar në mënyrë të thellë mbi realitetin tonë që jemi duke e jetuar. Duke u dhënë zë atyre që shpesh mbeten të padëgjuar, formë ndjenjave të papërshkrueshme dhe fuqi ideve që në forma të tjera mund të censuroheshin ose injoroheshin. Në kohë krize, animacioni nuk është vetëm art, është akt rezistence dhe mundësi për të imagjinuar një botë tjetër”, ka shtuar Hatashi.

Para datave aktuale të festivalit, kanë filluar të mbahen turne të organizuara nëpër qytete të ndryshme në Kosovë dhe në Shqipëri, me qëllim që festivali të afrohet me njerëzit që nuk kanë mundësi të udhëtojnë apo t’i ndjekin aktivitetet e tij.

“Turnetë janë mënyra jonë për ta çuar festivalin përtej Pejës drejt njerëzve që ndoshta nuk kanë mundësi të udhëtojnë dhe t’i ndjekin aktivitetet e ‘Anibarit’. Synimi është i dyfishtë, së pari, të ndërtojmë një lidhje më të ngushtë me komunitetet lokale, dhe së dyti, të ofrojmë një kulturë të kinemasë dhe diskutim kritik rreth animacionit si medium artistik dhe social. Duke sjellë programin tonë në hapësira të tjera, po ndajmë jo vetëm filma, por edhe temat, debatet dhe energjinë që përfaqëson ‘Anibar’, një festival që beson në fuqinë e artit për të lidhur dhe transformuar”, ka thënë ajo.

“Anibari” këtë vit nuk mundohet t’i mësojë njerëzit asgjë, por i fton ata të qëndrojnë bashkë në paqartësi, të qeshin pa faj, të mendojnë pa frikë dhe të ndiejnë pa turp. Në një botë që kërkon qëndrime të menjëhershme për gjithçka, ndoshta më radikalja është të thuhet me zë të lartë: “Nuk e di. WTF?!”