Me dyqind vepra poetike e qindra mijëra vargje, shumëkush e cilësonte si poeti më prodhimtar në letrat shqipe. Deri në javët e fundit të tetorit, poeti Adem Zaplluzha ishte i pranishëm për miqtë e ngushtë duke afishuar poezitë e librit të tij të fundit “Mbetëm sërish në fillim”.
“Njeriu deri më sot/ zbuloi me qindra yje/ Universit pashë më pashë i ra not/ mbase vetveten/ s’është në gjendje ta zbulojë”, ishin disa nga vargjet e dala nga pena e tij.
Pasditen e së hënës, poeti 77-vjeçar dha frymën e fundit pranë familjes së tij në Prishtinë. Në praninë e rrethit të ngushtë familjar u varros të martën në varrezat e qytetit në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.
1957-a shënoi debutimin e tij në mbretërinë e poezisë kur botoi të parën sprovë poetike në revistën e asokohshme për fëmijë “Pioneri”. Në këtë hark kohor, që u shtri në gjashtë dekada veprimtari aktive në letërsi, Zaplluzha botoi mbi 200 libra, shumica me poezi.
I vlerësuar në rrethe letrare gjithandej hapësirës shqiptare, ai ishte fitues i disa shpërblimeve në letërsi. Mes tyre ishte edhe çmimi i dhënë më 2013 nga Klubi i Artistëve dhe Shkrimtarëve të Durrësit për karrierë dhe kontribut në letrat shqipe.
I lindur më 1943 në Prizren, Zaplluzha i mbaroi shkollimin fillor dhe atë të mesëm në vendlindje, kurse në Prishtinë do t’i vijonte studimet në Akademinë Pedagogjike. Siç jepet në zërin përkatës në vëllimin e parë të “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës”, nga viti 1971 e deri në pensionim, më 1996, ai punoi si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Edhe në mjediset e punës vijoi veprimtarinë e tij prej letrari, ku tok me miq të penës formoi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”.
“Shkroi poezi për të rritur, poezi për fëmijë dhe poezi satirike dhe humoristike”, thuhet, ndër të tjera, në përmbledhjen biografike të FEK-ut.
Po ashtu, Adem Zaplluzha ishte një prej themeluesve të klubit letrar “Fan Noli” në Prizren, ndërkohë që në të gjallë të tij bashkëpunoi me shumë revista letrare shqipe, mes tyre edhe atë për fëmijë “Fidani”.
Fusha e krijimtarisë është aq e madhe dhe e gjerë, sa ka vend për të gjithë. Këto fjalë të të ndjerit i ka kujtuar miku i tij, shkrimtari nga Kukësi, Lulzim Hajdari.
Në një prononcim për KOHËN, ai ka thënë se Zaplluzha kishte një zemër të madhe ashtu siç ishte edhe krijimtaria e tij letrare.
“Krijimtaria e tij në çdo shkronjë, fjalë e varg si kryemendim e kryefjalë kishte dashurinë për njerëzit, shoqërinë e sidomos për atdheun, që ishte përkushtimi dhe plani i tij i parë”, ka vlerësuar Hajdari.
Mes rimës, krahasimeve e figuracioneve, sipas tij, Zaplluzha arrinte “të nxirrte në vargje pjalmin e asaj që mund të quhet vlerë e padiskutueshme”.
“Bilbila të tillë lindin rrallë e ata duhen respektuar, lexuar e nderuar edhe pas vdekjes”, ka shtuar Hajdari.
Më fjalë të ndjera për poetin është shprehur edhe miku i tij i penës nga Korça, Edmond Shallvari. Ka thënë se i ndjeri ia kishte besuar shkrimin hyrës në librin e 198 poetik.
“Prehu i qetë o mik, aty mes yjësisë, së bashku me dyqind yjet e rinj që pena jote iu dha emrin tënd”, ka shkruar Shallvari.
Edhe poeti shqiptar në Belgjikë, Agron Shele e ka cilësuar vdekjen e Zaplluzhës si ikje të papritur dhe të trishtë për të afërmit dhe gjithë miqtë e tij.
“Ikja në vjeshtën e shtegtimeve të mëdha nuk është braktisje e kohës, pasi mbi dyqind veprat e tij letrare janë strehëza e ngrohtë që e rikthejnë dhe rithejnë në mendjen dhe shpirtin e çdo krijuesi dhe lexuesi”, ka shkruar Shele.
Ndryshe, libri poetik “Puthje”, i botuar nga “Rilindja” më 1974, ishte i pari në vargun e qindra titujve gjatë krijimtarisë së tij të pasur artistike. Ka botuar edhe librat poetikë “Ecjet e viteve të mëdha” (1995) dhe “Morfologjia e dhembjes” (2000), pastaj librat me poezi për fëmijë “Asgjë sikur molla” (2009) dhe “Fëmijët e erës” (2012) dhe librat me poezi humoristike e satirike “Don Kishoti dhe Rosinanti” (2010) dhe “Bajraktarët e vatanit” (2010).