Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Zbardhje” në shesh xhirimi

Regjisorja Kaltrina Krasniqi në shesh xhirimi për zbardhje (Foto: Ferdi Limani)

Regjisorja Kaltrina Krasniqi në shesh xhirimi për zbardhje (Foto: Ferdi Limani)

Debutimi i saj në film të gjatë qe goditje në shenjë. “Zbardhje”, është titulli i filmit të ri artistik të regjisores Kaltrina Krasniqi, i prodhuar nga “Vera Films”, Tashmë ka hyrë në fazën e xhirimeve në Prishtinë. Njoftimi për këtë fazë është dhënë të martën nëpërmjet një komunikate për media të produksionit. Aty shkruhet se projekti ribashkon bashkëpunëtorët kryesorë nga filmi i saj i parë me metrazh të gjatë "Vera Andrron Detin", i cili pati premierën në kategorinë “Orizzonti” të edicionit e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie në vitin 2021. Edhe në “Zbardhje” skenarin e ka shkruar Doruntina Basha, ndërkaq në role kryesore janë: Adriana Matoshi dhe Arta Dobroshi. Kosovare Krasniqi, Agron Shala, Aurita Agushi, Art Pasha dhe Blerta Ismaili bartin rolet e tjera. 

“Vendosur në Prishtinën bashkëkohore, ‘Zbardhje’ është dramë që ndjek dy gra, jetët e të cilave takohen në punë. Fatimja (Adriana Matoshi) vjen nga periferia e qytetit dhe punon si mirëmbajtëse, kurse Elvira (Arta Dobroshi) drejton një kompani marketingu në qendër të qytetit. Filmi vëzhgon çfarë lind dhe s'mund të jetojë në mes tyre, përderisa qyteti përreth demolohet dhe rindërtohet”, shkruhet në komunikatë. Krasniqi shquhet për një tis poetik në zbërthimin e temave. Në përshkrimin e filmit shkruhet se “‘Zbardhje’ e përdor zbardhjen si logjikë socio-kulturore, arkitektonike dhe zhvillimore”. “Hapësira, trupat dhe historitë pastrohen, sanitohen dhe fshihen në emër të aspiratave shoqërore”, shkruhet në komunikatë. Regjisorja dhe skenaristja punojnë mbi një përvojë përvojash personale. 
“Pasi u bëra nënë, e gjeta veten duke naviguar realitetin kompleks të punësimit të një dadoje. E rritur pa ndihmëse shtëpie, fillimisht nuk kisha dijeni për ekosistemin më të gjerë informal të punës që operon brenda shtëpive private, pa kontrata apo mbrojtje formale. Bashkë me skenaristen Doruntina Basha filluam të shqyrtonim këto dinamika nga afër. Hulumtimi ynë u informua nga eksperiencat tona personale, por edhe nga një seri bisedash dhe historish gojore me gra të punësuara si mirëmbajtëse dhe kujdestare fëmijësh në Prishtinë, përvojat e të cilave ndihmuan në ndërtimin e kornizës tematike të filmit”, citohet të ketë thënë regjisorja Krasniqi. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ajo e ka zbërthyer filmin si një eksplorim marrëdhëniesh midis dy grave të formuara në kontekste të ndryshme kulturore e ekonomike, ku dinamikat klasore jetojnë në heshtje. 

“Nëpërmjet personazheve të Fatimes dhe Elvirës, filmi shqyrton se si gjinia, klasa dhe format e të kuptuarit të trupit strukturojnë marrëdhëniet e përditshme midis grave që banojnë në të njëjtën hapësirë, por jetojnë nën realitete sociale dhe ekonomike dukshëm të ndryshme”, ka thënë Krasniqi duke shkruar se  “Zbardhje”  përpiqet të reflektojmë “mbi kufijtë e brishtë dhe shpesh të paqartë për të cilët akomodon puna në informalitet, duke definuar qartë se si intimiteti, varësia dhe pabarazia bashkëjetojnë”. Ky projekt me producent Ares Shportën ka marrë mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Komisionit Kombëtar të Filmit të Bullgarisë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Qendrës së Filmit të Malit të Zi, IFFR Hubert Bals Fund+Europe dhe Visions Sud Est. Është bashkëprodhim midis “Vera Films” (Kosovë), “Portokal” (Bullgari), “Papadhimitri Productions” (Shqipëri) dhe Code Blue Production (Mali i Zi). Në Kosovë, sipas komunikatës, filmi ka gjetur mbështetje edhe nga partnerë vendorë. Pos Prishtinës, xhirimet do të zhvendosen edhe në Ulqin.