Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Zbulimi që ndryshon historinë: Qerre me katër rrota nga epoka e hekurit

Ky zbulim, i njohur sot si depozitat e Melsonbyt, përfaqëson një nga koleksionet më të mëdha të kulturës materiale nga epoka e hekurit në Britani

Ky zbulim, i njohur sot si depozitat e Melsonbyt, përfaqëson një nga koleksionet më të mëdha të kulturës materiale nga epoka e hekurit në Britani

(“Antiquity”) – Në veri të Anglisë është zbuluar një artefakt spektakolar që për herë të parë e konfirmon ekzistencën e mjeteve me katër rrota në epokën britanike të hekurit dhe ndryshon njohuritë e deritanishme për fuqinë dhe lëvizshmërinë e elitave të asaj kohe. Ai që konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në dekadat e fundit në Britaninë e Madhe, vjen nga Yorkshire Verior, ku është zbuluar një kompleks depozitash që ndryshon rrënjësisht kuptimin e deritanishëm për transportin, pushtetin dhe ritualet në epokën e vonë të hekurit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prej detektorit të metaleve te sensacioni

Gjithçka filloi në vitin 2021, kur një përdorues detektori metalesh, Peter Heads, me lejen e pronarit të tokës në Melsonby, hasi në gjurmët e para të një zbulimi të pazakontë. Pas një viti nisën kërkime sistematike arkeologjike, të cilat zbuluan një koleksion jashtëzakonisht të pasur. U gjetën rreth 950 artefakte arkeologjike, përfshirë pjesë të të paktën shtatë mjeteve, pajisje luksoze për kuaj, armë dhe enë për festa. Ky zbulim, i njohur sot si depozitat e Melsonbyt, përfaqëson një nga koleksionet më të mëdha të kulturës materiale nga epoka e hekurit në Britani. Studimi për të është publikuar në revistën “Antiquity”.

Ekipi arkeologjik i udhëhequr nga Tom Moore nga Universiteti i Durhamit identifikoi dy depozita kryesore, të vendosura në hendeqe brenda një peizazhi kompleks fushash dhe vendbanimesh pranë Stenvik, që besohet të ketë qenë kryeqyteti i fisit Brigantes. Depozita është e jashtëzakonshme: 28 rrathë hekuri të rrotave, të përkulur dhe deformuar qëllimisht, janë vendosur në një strukturë kompakte. Mbi to ishte vendosur një kazan i madh bronzi, i kthyer përmbys dhe i shtypur më tej me një gur të madh. Rreth kësaj strukture qendrore u gjetën shumë fragmente metalike dhe shtiza, ndërsa në bazë ndodhej një enë tjetër me kapak. Depozita e dytë, rreth 25 metra larg, kishte një karakter krejt tjetër. Objektet ishin të ngjeshura në një masë kompakte, aq të ndryshkura sa u nxorën të plota dhe u analizuan në laborator. Skanimet CT zbuluan një strukturë të ndërlikuar – pjesë pajisjesh për kuaj, shtiza dhe elemente metalike, ndoshta të mbështjella në materiale organike si pëlhura, gjurmët e të cilave janë ruajtur përmes mineralizimit.

Skanimet CT zbuluan një strukturë të ndërlikuar

Zbulimi i parë i mjeteve me katër rrota

Para këtij zbulimi, dëshmitë arkeologjike për mjetet në epokën britanike të hekurit lidheshin pothuajse ekskluzivisht me karrocat me dy rrota – mjete të lehta lufte të njohura nga varret në Jorkshir. Analiza e elementeve metalike, përfshirë lidhëset në formë U-je dhe rrathët cilindrikë që përputhen me boshtet, tregon për ekzistencën e mjeteve me katër rrota, të panjohura më parë në Britani. Vlerësimet sugjerojnë se mbetjet u përkasin të paktën shtatë karrocave.

Shkatërrimi i qëllimshëm i karrocave

Objektet nga Melsonby dëshmojnë për një pasuri të jashtëzakonshme. Pajisjet për kuaj janë masive dhe të dekoruara me luks, me zbukurime prej korali të kuq nga Mesdheu, xhami blu e të tjera materiale të çmueshme. Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është fakti se të gjitha këto objekte janë shkatërruar qëllimisht para se të groposeshin. Rrotat janë përkulur, metali është ngrohur, ndërsa disa objekte janë shkrirë pjesërisht. Interesante është se nuk janë gjetur gjurmë djegieje në vendin e depozitimit, gjë që sugjeron se objektet më parë janë ekspozuar në një zjarr mortor dhe më pas janë mbledhur dhe varrosur. Ka gjasa që bëhet fjalë për depozita votive: shkatërrimi ritual i objekteve prestigjioze si një akt demonstrimi i fuqisë, besimit ose aleancave politike.

Elita, komuniteti dhe ritualet e epokës së hekurit

Vendndodhja gjendet pranë Stenvikut, qendra e pushtetit të fisit Brigantes, sundimtarja më e njohur e të cilit ishte mbretëresha Kartimandua, aleate e Romës në shekullin e parë të erës sonë. Edhe pse datimi i depozitave (40 p.e.s. – 40 e.s.) sugjeron se ato janë pak më të hershme se periudha e sundimit të saj, është e mundur që lidhen me brezat pararendës ose me elita të ngjashme ku edhe gratë kishin rol të rëndësishëm politik. Ndër gjetjet spikat edhe një kazan i madh, me kapacitet rreth 35 litra, që ndoshta është përdorur për gosti të përbashkëta. Pikërisht këto objekte tregojnë se ngjarje të tilla nuk ishin vetëm shprehje e fuqisë individuale, por edhe e praktikave kolektive shoqërore. Një detaj interesant është dekorimi me figura peshqish, një dukuri shumë e rrallë në artin e epokës së hekurit, që e bën edhe më të ndërlikuar interpretimin e simbolikës së tyre.