LAJMET E MBRËMJES

120 karrige bosh e alarme, si kritikë deputetëve për bllokadën në Kuvend

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, nëpërmjet një aksioni simbolik të mbajtur një orë para vazhdimit të 22-të të seancës konstituive, kanë shprehur pakënaqësi për bllokadën e krijuar në Kuvend. Tek kanë bërë thirrje për krijim të institucioneve, ata i kanë kritikuar deputetët për mungesë të vullnetit për dalje nga ngërçi politik

Me alarmet që u aktivizuan përnjëherësh dhe me mesazhet “Për çka ju kemi zgjedhë?”, “Çdo vonesë ka kosto!” dhe “Cirku i demokracisë” të shkruara në letra e të vendosura mbi 120 karrige të zbrazëta të rreshtuara në bazë të rendit të ulëseve në Kuvend, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile mbajtën të martën aksion simbolik para objektit të Parlamentit në Prishtinë. 

Me këtë performancë, e cila ka nisur një orë para fillimit të vazhdimit të 22-të të seancës për konstituimin e legjislaturës së re, është shprehur pakënaqësi për bllokadën e krijuar në Kuvend dhe për papërgjegjësinë e ligjvënësve për dalje nga ngërçi politik.

Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (IKD), ka thënë se në këtë formë shoqëria civile ka shprehur kundërshtimin për normëzimin e krizës institucionale.

“Përveç karrigeve, sot kemi vendosur edhe ora simbolike të cilat përfaqësojnë alarmin që është ndezur prej kohësh, por që shumica e deputetëve fatkeqësisht nuk është që po e marrin parasysh dhe përkundrazi po e injorojnë tash e tre muaj. Alarmi po ashtu tregon kohën e cila po na ikën që nga 9 shkurti kur janë mbajtur zgjedhjet, kur është dashur që subjektet politike që të fillojnë diskutimet për formimin e institucioneve”, ka theksuar ai.

Për mungesë të vullnetit për dalje nga bllokada, Cakolli i ka bërë barabar përgjegjës të gjithë deputetët që kanë fituar ulëse në Kuvend. 

“Ne e dimë që ka pasur justifikime nga të gjitha subjektet politike për procedura, për interpretime ligjore, mungesë të gatishmërive, inateve nga e kaluara dhe premtime të thyera, por asnjë prej tyre nuk e mbulon faktin që vendi nuk ka një Kuvend funksional dhe institucionet janë jashtë funksionit të tyre kushtetues”, ka thënë Cakolli.

E Rrezarta Delibazhzade-Krasniqi, drejtore ekzekutive në Demokraci Plus (D+), u ka bërë thirrje ligjvënësve që t’i bëjnë zgjidhje ngërçit politik.

“Shfrytëzojmë rastin t’u bëjmë thirrje të gjitha partive parlamentare që të kenë një dialog, një kompromis me një agjendë të vetme e cila është interesi publik dhe interesi i qytetarëve që të kemi një Kuvend funksional”, ka thënë ajo.

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me aktivitete edhe më të zëshme derisa situata në Kuvend t’i kthehet normalitetit.