Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

18 minatorë qëndruan të bllokuar për 15 orë në thellësi deri në 800 m

tr

Një defekt në furnizimin me energji elektrike ka lënë për rreth 15 orë të ngujuar në minierën e Stan-Tërgut 18 minatorë. Ata kanë arritur të dalin në sipërfaqe, tek pas sanimit të defektit. E, 29 minatorë më të rinj në moshë që ndodheshin thellë në minierë në momentin kur ka ndodhur defekti, shfrytëzuan daljet emergjente

Për 15 orë, në njërën prej minierave të “Trepçës” që është thellë në tokë rreth 800 metra, kanë mbetur të ngujuar 18 minatorë.

Një defekt në qendrën e furnizimit me energji elektrike i ka lënë ata të bllokuar në Stan-Tërg, ndërsa 29 të tjerë, kryesisht të rinj në moshë, kanë mbërritur më herët në sipërfaqe nëpërmjet daljeve emergjente.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Minatorët e kanë nisur punën në orën 23:00 të mërkurën, ndërkaq pas orësh të tëra ankthi, të fundit kanë arritur të dalin shëndosh e mirë në sipërfaqe para orës 14:00 të së enjtes. Kjo është bërë e mundur, tek pas rikthimit të energjisë elektrike, që ka mundësuar aktivizimin e ashensorëve.

Një nga minatorët ka thënë se nuk pati shqetësime të mëdha, gjatë qëndrimit në minierë.

“Mirë jemi, janë sende që ndodhin. Prishjet nuk mundemi me i ndal, është normale. 800 metra me hy thellë është e vështirë, por punën e kryejmë”, ka thënë minatori Bajram Rexhepi.

Në operacionin për nxjerrjen e minatorëve janë aktivizuar ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit.

Ndërkaq, ekipet mjekësore kanë konstatuar se të gjithë minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Në një postim, ndërmarrja “Trepça” ka treguar për dëmet që për pasojë patën bllokimin e minatorëve.

"Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet e tjera përcjellëse në trafostacion", thuhet në njoftimin e “Trepçës”.

E ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila e ka vizituar minierën, ka bërë thirrje që rasti të hetohet deri në fund.

“Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë minatorët kanë dalë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa hapi i radhës për mua është që të hetohet deri në fund pse ka ndodhur ky aksident dhe a ka mundur të parandalohet. Për këtë presim raportet e inspektorateve përkatëse për të parë pastaj hapat që mund të ndërmerren”, ka thënë Rizvanolli.

Ndërmarrja “Trepça” ka bërë të ditur se pas intervenimeve, puna e minatorëve ka rifilluar dhe se vetëm në Horizontin 11 dera e sigurisë vazhdon të mbetet e mbyllur për shkak të ujit të akumuluar.

Raste të tilla, ku kanë mbetur punëtorët e “Trepçës” të ngujuar, ka pasur edhe në të kaluarën.