Familje të komuniteteve pakicë në Graçanicë, që jetuan me vite në kontejnerë e qendra kolektive, të martën janë akomoduar në banesa të reja në lagjen “Suvido”. Gjatë ceremonisë së përurimit të këtij projekti të financuar nga Bashkimi Evropian e Ministria për Komunitet dhe Kthim, është theksuar mbështetja e Qeverisë për komunitetet joshumicë që jetojnë në Kosovë
34 familje të komuniteteve joshumicë në Graçanicë pranuan të martën çelësat e po aq banesave në fshatin Suhadoll, në kuadër të projektit të strehimit të familjeve që kanë banuar në qendra kolektive. Përfitues të 34 banesave janë: 17 familje që jetonin prej vitesh në kushte të papërshtatshme si në kontejnerë apo apartamente me qira, pastaj 12 familje në kushte të vështira sociale, si dhe 5 familje nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se përmes këtyre ndërtesave mundësohet akomodim i denjë, i sigurt dhe i rehatshëm për të gjithë.
“Dorëzimi i këtyre çelësave sot paraqet dy arsye të tjera për festim: e para është se hapja e dyerve të këtyre apartamenteve na kujton dyert e qendrave kolektive që përfundimisht janë mbyllur. Në strategjinë tonë për mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të komuniteteve dhe anëtarëve të tyre që Qeveria jonë e miratoi para katër muajve, ne u zotuam për mbylljen e këtyre qendrave kolektive dhe për familjet që kanë jetuar në qendrën kolektive ‘Padalishtë’ në disa raste më shumë se 20 vjet, dita e sotme paraqet fundin e një udhëtimi të gjatë pasi ata më në fund po vendosen në një shtëpi të përhershme”, ka thënë Kurti.
E ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, deklaroi se për familjet që jetuan në kushte të vështira prej tash fillon një jetë e re.
“Në kuadër të këtij projekti në total kemi mbështetur 56 familje të komuniteteve joshumicë, të cilat jetojnë në kushte të vështira. Përveç 34 banesave të reja që po i përurojmë sot, kemi rinovuar edhe një kompleks tjetër banesor social në Komunën e Graçanicës, me ç ‘rast janë përmirësuar kushtet e jetesës së 22 familjeve. Përveç asistencës për strehim, projekti ofroi pajisje të reja shtëpiake, ushqime, pako joushqimore, lidhje të nevojshme infrastrukturore, gjenerim të të ardhurave, akses në shërbimet sociale dhe zbukurim të zonave të përbashkëta”, ka thënë ai.
Ndërkohë ministri Nenad Rashiq bëri të ditur se ndërtimi i tyre ka nisur që nga tetori i vitit 2022.
“Ministria ka siguruar gjithashtu pajisje elektrike, mobilie si dhe pako ushqimore që sigurisht në fillim do t'ua lehtësojnë jetën këtyre familjeve, këtyre banorëve, juve nuk ju është siguruar vetëm kulmi mbi kokë, juve u është siguruar edhe hapësira për rekreacion dhe pres që të ndihmojmë, ashtu siç tha kryeministri pas ndeshjes së basketbollit, që përfundimisht ta rinovojmë edhe oborrin”, është shprehur Rashiq.
Përveç dy ndërtesave banesore, pjesë e projektit janë edhe hapësirat e zonave rekreative për fëmijë e të rritur.