Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

PDK: Duhet plan emergjent antiinflacion

ARben Mustafa

Foto: Driton Paçarada

“Sot, për çdo litër naftë, shteti merr rreth 60 centë taksa: 36 centë akcizë dhe 24 centë TVSH. Pra, kur një qytetar furnizohet me naftë, në çmimin prej 1.80 euro për litër, nuk paguan vetëm çmimin e naftës, por i paguan edhe shtetit 60 centë taksa”, ka thënë deputeti Mustafa. “Heqja dorë përkohësisht nga këto taksa, në tërësi apo edhe pjesërisht, do të nënkuptonte një zbritje të menjëhershme të çmimit të naftës dhe frenim të efektit zinxhirë të rritjes së çmimeve”

Përfaqësues të Partisë Demokratike (PDK) kanë bërë thirrje për një plan emergjent antiinflacion, teksa kanë akuzuar Qeverinë Kurti se i ka braktisur qytetarët dhe se po mendon vetëm për mbledhje të taksave e si të përfitojë nga shtrenjtimi i naftës.

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka bërë thirrje për heqje dorë nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe nga akciza, pasi ka konsideruar se një politikë e tillë do të përcillej me frenim të efektit zinxhirë të shtrenjtimeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sot, për çdo litër naftë, shteti merr rreth 60 centë taksa: 36 centë akcizë dhe 24 centë TVSH. Pra, kur një qytetar furnizohet me naftë, në çmimin prej 1.80 euro për litër, nuk paguan vetëm çmimin e naftës, por ia paguan edhe shtetit 60 centë taksa. Kjo është një barrë që duhet të lehtësohet në këtë kohë krize. Heqja dorë përkohësisht nga këto taksa, në tërësi apo edhe pjesërisht, do të nënkuptonte një zbritje të menjëhershme të çmimit të naftës dhe frenim të efektit zinxhirë të rritjes së çmimeve”, ka thënë ai.

Mustafa ka theksuar se vala e re e shtrenjtimit do të ishte e papërballueshme për qytetarët.

“Rritja e çmimit të naftës nuk prek vetëm ata që furnizohen në pompë. Ajo rrit shpenzimet e transportit, të prodhimit dhe, rrjedhimisht, çmimet e të gjitha produkteve që konsumojmë. Në prag të sezonit të bujqësisë, kjo rritje godet drejtpërdrejt bujqit tanë, duke i detyruar të prodhojnë me shpenzime më të mëdha dhe, rrjedhimisht, t’i shtrenjtojnë produktet e tyre”, ka thënë ai.

Në emër të PDK-së, Mustafa ka kërkuar ulje të menjëhershme të taksave për derivatet e naftës.

“Masa konkrete dhe të drejtpërdrejta për mbrojtjen e bujqve dhe prodhuesve vendorë, përfshirë subvencione shtesë dhe mbështetje për inputet bazë në këtë sezon kritik. Një plan emergjent, të qartë dhe të matshëm, për përballimin e rritjes së çmimeve, që garanton stabilitet për familjet dhe bizneset. Pra, një plan emergjent antiinflacion, me objektiva konkrete për stabilizimin e çmimeve dhe masa të koordinuara mes ministrive. Kontroll dhe transparencë në treg për t’i parandaluar abuzimet, me inspektime të shtuara ndaj çmimeve, monitorim të zinxhirit të furnizimit, penalizim të marrëveshjeve të fshehta dhe rritjeve artificiale, sepse, shumë rritje çmimesh nuk janë vetëm nga tregu, por edhe nga abuzimet”, ka thënë Mustafa.

Ai kërkoi nga Qeveria që “energjinë, të cilën po e shpenzon për të krijuar apo thelluar kriza politike, ta përqendrojë në mbështetjen konkrete të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit”.

KOHA ka raportuar të martën se si arka e shtetit po “ia sheh hairin” shtrenjtimit të naftës si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme. Ende pa u përfunduar muaji mars, buxheti i shtetit është mbushur për 27.5 milionë euro, prej të cilave mbi 10 milionë euro janë nga TVSH-ja dhe 17.5 milionë nga akciza. Të hyrat e TVSH-së janë rritur për 1 milion euro më shumë sesa në shkurt.

Në kohën kur çmimi i një litre naftë ka arritur në mbi 1.80 euro, në shoqata të bizneseve dhe në parti politike kanë kërkuar që Qeveria të ndërhyjë duke e bërë heqjen e akcizës apo lirimin nga TVSH-ja. 

Por ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se këto dy kërkesa nuk janë opsion aktualisht, pasi që për akcizë “duhet të ndryshohet ligji”, ndërsa për TVSH-në “është vështirë të monitorohet”.

(Elda Islami)