Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

LDK: KEDS-i po mashtron me njehsorët elektrikë

Visar Azemi

Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka thënë se KEDS-i është duke mashtruar nëpërmjet njehsorëve të energjisë elektrike. Këtë e ka thënë bazuar në një hulumtim që ka bërë me 800 njehsorë në Prishtinë dhe Ferizaj. Ai ka thënë se rryma matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën, e për këtë në emër të LDK-së ka kërkuar edhe dorëheqjen e anëtarëve të Bordit të ZRRE-së

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike (LDK) kanë denoncuar publikisht institucionet përgjegjëse në fushën e energjisë, duke theksuar se nëpërmjet mashtrimit me njehsorë, konsumatorëve u faturohet çmim më i lartë i energjisë.

Anëtari i kësaj partie, Visar Azemi, ka thënë të mërkurën në një konferencë për media se njehsorët elektrikë janë duke matur gabimisht kohën. Konstatimin e ka bazuar në një hulumtim për energjinë elektrike, ku si mostër ka thënë se janë përdorur mbi 800 njehsorë në Prishtinë dhe Ferizaj dhe në bazë të këtij hulumtimi është gjetur se rryma matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka thënë se 87 për qind e njehsorëve që i ka testuar kanë rezultuar që nuk e matin kohën siç duhet. 

“Dhe këtu nuk po flasim për një gabim teknik. Po flasim për një mashtrim ose manipulim sistematik, sepse mostra prej 884 njësorëve, nga të cilët 87% nuk është një rastësi, pra nuk mund të themi që ka një ‘glitch’ të sistemit, por po flasim që ka një manipulim ku ky skandal iu ka kushtuar qytetarëve miliona euro. Pra, po i shihni disa njësorë të energjisë elektrike dhe po e shihni që nuk përkojnë me kohën reale. Pra koha në njehsor këtu për shembull është 07:55 minuta në mëngjes, koha reale është 3:26 pasdite”, ka thënë Azemi. 

Sipas tij, qytetarët paguajnë gjithmonë me tarifa të shtrenjta edhe pse nga ora 22:00 tarifa është e caktuar me të lirën.

“Në momentin kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë i aprovon tarifat dhe ne kemi tarifën e dimrit dhe të verës, kemi tarifën e ulët dhe të shtrenjtë në orën 22:00 në mbrëmje, gjatë muajve të dimrit, supozohet që qytetarët e Kosovës ta përdorin tarifën e ulët të energjisë elektrike. Dhe në atë kohë ne i kemi ndezë pajisjet elektroshtëpiake, pra në orën 22:00 kemi lëshuar ndoshta nxehjen, kemi lëshuar lavatriçen, pajisjet për larjen e enëve, ku ta di unë, duke menduar që po faturohemi me të lirën.

Realisht energjinë jemi duke e paguar me të shtrenjtën”, ka thënë ai. “Dallimi këtu në çmim e dini që është 6 e sa centë me të lirën dhe 13 centë është me të shtrenjtën. Pra ka një dallim diku prej 112% rritje”.

Ai ka insistuar se bëhet fjalë për mashtrim, duke prezantuar edhe dëshmi për ta mbështetur akuzën.

“Po i shihni këta katër njehsorë. Varion dallimi prej dy orë e tetë minuta në të parin, tri orë e gjysmë këtu, shtatë orë e gjysmë këtu, i fundit ka tetë orë e tetë, po ka edhe raste ku kjo diferencë shkon deri në 15 orë. Pra është komplet disbalancë dhe çakordim i komplet sistemit të faturimit të energjisë elektrike”, është shprehur Azemi.

Pas prezantimit të gjetjeve, në emër të LDK-së, Azemi ka kërkuar dorëheqjen e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), si dhe hetim penal.

“Pra, këtu duhet kërkuar përgjegjësi, sepse po shohim qartë që qytetari nuk paska abuzuar, paska abuzuar KEDS-i në këtë rast. Dhe KEDS-in e monitoron dikush: Zyra e Rregullatorit të Energjisë, që është bashkëfajtore në këtë mashtrim. Pra, nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka aprovuar tarifat dhe ka treguar se kur qytetari duhet të faturohet me çmim të lirë dhe kur duhet të faturohet me çmim të shtrenjtë, atëherë ata është dashur të kujdesen që ai implementim i atyre rregulloreve, i atij ligji që e ka nxjerrë vetë Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të zbatohet. Pra ata nuk janë kujdesur dhe ka ardhur deri te kjo të cilën po e shohim në ekran, në fotografitë të cilat i paraqita edhe pak më herët. Dhe në fund tash, unë mendoj që këtu duhet të shikohet zinxhiri i përgjegjësisë”, ka thënë ai. “Pra, të gjithë ata që kanë përgjegjësi duhet të marrin dënimin e merituar. Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kërkojmë që të ketë hetim të pavarur, forenzik madje, dhe auditim të sistemit të faturimit të KEDS-it. Duhet dhe po kërkojmë tërheqjen e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sepse këta kanë dështuar të implementojnë vendimet e tyre, ligjet e Republikës së Kosovës, kodin e faturimit dhe kanë dështuar të mbrojnë interesin e qytetarit. Prandaj kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të Bordit”.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në KEDS, por edhe në ZRRE, por përgjigjet kanë munguar.

KOHA pati raportuar në dhjetor të 2024-s se si banorët e një blloku banesor në Fushë-Kosovë kanë thënë se ora nëpër njehsorë figuron disa orë para ose prapa kohës reale, dhe kësisoj ua pamundëson përpjekjet për kursim.

KEDS-i atëkohë pati ftuar qytetarët që të ankohen për këtë çështje. E në qershor të 2023-tës, KOHA pati raportuar se verifikimi i njehsorëve elektrikë nga zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë është bërë në laboratorë të KEDS-it edhe pse kjo ishte praktikë e ndërprerë prej 2019-s, me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji.

Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator.

Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat.

E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.