Para Kuvendit, të enjten, është mbajtur një aksion simbolik, në shenjë proteste për moskonstituimin e institucioneve. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos votojnë më asnjë nga deputetët e legjislaturës së re
120 fletë të bardha me emra të deputetëve të legjislaturës së re, mbi të cilat është vizatuar një X me ngjyrë të kuqe dhe mbishkrimi “Walk of Shame” janë vendosur në tokë para hyrjes së ndërtesës së Kuvendit, të enjten.
Aksioni simbolik është organizuar në shenjë proteste për moskonstituimin e institucioneve as shtatë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Organizatori i aksionit, Fatmir Bytyqi, ka thënë se qëllimi i tij është që të ndikojë te votuesit që të mos i votojnë në të ardhmen ligjvënësit aktualë.
““Unë tash e 26 ditë gjendem para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste për moskonstituim të institucionit më të rëndësishëm të Republikës. Qëllimi im është kryesisht që t’i vetëdijësoj qytetarët që këta deputetë të mos votohen asnjëherë. Ne kemi pasur rastin në vitin 2014, kur Kuvendi nuk ka funksionuar për disa muaj, tash është ky rasti i dytë. Kjo për arsye se në 2014 nuk kemi ditur që t’i ndëshkojmë deputetët për mospunën e tyre, kjo gjendje po na përsëritet edhe tash”, ka thënë Bytyqi.

Zgjedhjet nacionale janë mbajtur më 9 shkurt, por Kuvendi ende nuk është konstituuar, e për pasojë nuk ka nisur të rrjedhë as afati për formimin e qeverisë së re.
Këta deputetë nuk guxojmë më asnjëherë t’i votojmë. Nuk është me rëndësi cila parti votohet, secila parti LDK, PDK, VV, por këta 120 emra nuk guxojmë që t’i votojmë. Nuk mund të luajnë me institucionet e vendit”, ka thënë ai.
Më 26 gusht, në përpjekjen e 58-të, deputetët kanë zgjedhur për kryetar të Kuvendit, deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha. Ai ka konstatuar se legjislatura e re është konstituuar, pasi të 10 deputetët serbë nuk morën votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar Kuvendi. Por, pasi çështja është adresuar në Kushtetuese, kjo gjykatë ka vendosur masë të përkohshme, e cila është vlefshme deri në fund të muajit.