Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale. Organi i akuzës ka njoftuar se ai dyshohet për tri vepra penale, përfshirë shpëlarje të parasë, në rastin që lidhet me tregtimin e energjisë me Kompaninë GEN-i. E avokati i Berishajt i ka mohuar akuzat
Prokuroria Speciale e ka intervistuar ambasadorin Martin Berishaj për tri vepra penale.
Sipas organit të akuzës, ai dyshohet për tri vepra penale, më e rënda ndër të cilat është shpëlarja e parave.
“Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale ‘Shpëlarje e parave’, ‘Shmangie nga tatimi’ dhe ‘Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Berishaj dyshohet për dallaveret që lidhen me tregtimin e energjisë për kompaninë GEN-i e kjo është hera e dytë që intervistohet në Prokurorinë Speciale. KOHA ka raportuar se dyshimet e hetuesisë në fillim të hetimit ishin se ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN-i, me seli në Slloveni, për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.
Avokati i Berishajt, Tomë Gashi, i mohoi akuzat.
“Për t’i ndihmuar Prokurorisë Speciale të Kosovës, sot z. Martin Berishaj ka dhënë deklaratë sqaruese, me të cilën ne besojmë që i ka ndihmuar Prokurorisë për ta eliminuar çdo dyshim për aferën e ndërtuar nga gazetari serb, i afërm me shërbimin sekret të Serbisë, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të profesorit Martin Berishaj”, ka thënë avokati Gashi.
Berishaj është ish-anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në mandatin e fundit qeverisës, që e ka drejtuar kjo parti, ai është emëruar ambasador në Kroaci.
Përfaqësues të subjekteve politike, që mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, e kanë portretizuar Berishajn si koka e mafisë energjetike dhe veprimet e ambasadorit, si kriminale e skandaloze. E avokati Gashi ka vlerësuar se dyshimet ndaj tij janë të nxitura nga persona që e urrejnë Vetëvendosjen dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.