Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Arrestohen pesë të dyshuar për masakrën në Reçak, ishin pjesëtarë të Policisë së Serbisë

Arrestim

Pesë persona janë arrestuar në një operacion të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Sipas autoriteteve, të dyshuarit kanë qenë pjesë e njësive të Policisë së Serbisë që kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak, ku është kryer krim lufte ndaj popullsisë civile shqiptare

Pesë serbë, të gjithë pjesëtarë të Policisë së Serbisë më 1999, janë arrestuar të dielën në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për rastin e njohur si “Reçaku II”. 

Prokurori i Prokurorisë Speciale Ilir Morina, ka deklaruar se në hetimet e zhvilluara deri tash janë identifikuar disa persona që kanë marrë pjesë në masakrën e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak, ku janë vrarë 45 civilë shqiptarë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Me hetimet që i kemi zhvilluar që 6 muaj tashmë kemi arritur të identifikojmë edhe disa persona të cilët kanë qenë pjesë e njësive të posaçme të Policisë së Serbisë në atë kohë, të cilat kanë marrë pjesë në aksionin e 5 janarit të vitit 1999 në fshatin Reçak. Pasi kemi siguruar prova të mjaftueshme, kemi konsideruar që ekziston dyshimi i bazuar lidhur me këta persona”, ka thënë Morina.

Drejtori i Drejtorisë së Hetimeve për krimet e luftës, Bashkim Spahija, ka thënë se rasti i Reçakut është jashtëzakonisht i rëndë dhe ka kërkuar angazhim dinamik në kuptimin e hetimit dhe mbledhjes së provave për kryesit e mundshëm të kësaj vepre penale. 

“Për ta plotësuar këtë informacion, përveç arrestimeve të të dyshuarve gjatë këtij operacioni, hetuesit kanë arritur të gjejnë dhe të konfiskojnë një mori provash që ne konsiderojmë se janë relevante për rastin. Ndër to një armë, një uniformë ushtarake dhe policore, si dhe pjesë të ndryshme të uniformave, bexh i uniformës së Policisë së Serbisë, pranga, shufër e policisë”, është shprehur Spahija.

Spahija ka bërë të ditur se është realizuar kërkim edhe për një ish-polic serb në Shtërpcë, por nuk është gjetur në vendbanimin ku dyshohej dhe policia nuk ka arritur ta arrestojë.

Të arrestuarit janë ish-pjesëtarë të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërsa njëri prej tyre aktualisht punon në shërbimin postar në Serbi.

Për operacionin e Prokurorisë Speciale ka reaguar Lista Serbe e cila ka vlerësuar se arrestimet e fundit të serbëve përfaqësojnë, siç thuhet në deklaratë, një valë të re frikësimi dhe presioni ndaj komunitetit serb në Shtërpcë dhe Gjilan.

“Ajo që po ndodh është dhunë e pastër institucionale dhe presion i motivuar politikisht ndaj popullit serb. Prej vitesh, përmes veprimeve të tilla, Prishtina po tenton të krijojë një narrativë të rrezikshme sipas së cilës, çdo serb që ka qenë në moshë madhore pas vitit 1999 mund të akuzohet për vepra të rënda penale pa asnjë bazë. Një qasje e tillë nuk bazohet në të drejta dhe prova, por në stigmatizimin kolektiv të një populli të tërë”, thuhet në reagimin e partisë që mbështetet nga Serbia.

E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se krimet e luftës të kryera nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht më shumë se kurrë më parë, duke theksuar se nuk do të ketë kompromis.

“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për këtë fakt, të gjithë ata që kanë planifikuar, urdhëruar apo zbatuar krime kundër popullit tonë duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Plaga e dhimbjes së familjeve të viktimave dhe e mbarë shoqërisë sonë mbetet e madhe, por drejtësia është detyrim institucional dhe moral që nuk parashkruhet”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Gjatë operacionit të së dielës janë sekuestruar pjesë të ndryshme të uniformave, pranga, 43 fishekë, maskë për mbrojtje nga mjetet kimike, dokumentacione që konfirmojnë angazhimet në MPB-në e Serbisë, katër telefona mobilë, mbi 30 mijë euro edhe mbi 400 mijë dinarë serbë.

Të arrestuarit pasdite kanë dalë para trupit gjykues ku pritet t’u caktohet masa e ndalimit. Seanca ka qenë e mbyllur për media.