LAJMET E MBRËMJES

Avokati i Veselit: Ideja se pati plan për shënjestrim të kundërshtarëve politikë është absurde

Kadri Veseli

Edhe mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka nisur paraqitjen e fjalës përfundimtare duke kundërshtuar idenë se të akuzuarit ishin pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Avokati i Veselit tha se kjo ide është e pakuptimtë.

Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka nisur paraqitjen e fjalës përfundimtare në Dhomat e Specializuara me paraqitjen e kundërshtimit lidhur me akuzën për ndërmarrje të përbashkët kriminale për të kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati Rodney Dixon tha se ideja që pjesëtarët e UÇK-së, njerëz që luftonin për jetën dhe tokën e tyre kundër një shteti shumë më të fuqishëm, bën plan kriminal kundër kundërshtarëve është e pakuptimtë.

“Shqiptarët e Kosovës u detyruan të mbijetonin. Ideja se shqiptarët ishin jashtë vendit duke bërë komplot që të ktheheshin në vendin e tyre në Kosovë që të shënjestronin kundërshtarët përmes një lufte speciale dhe se këtë luftë e filluan duke u kthyer në mars të 98-s është absurde. Të lë pa fjalë. Është njësoj sikur të themi tani që ukrainasit e filluan luftën në vendin e tyre, sepse ata kishin planifikuar që të luftonin kundër një pushtimi të plotë, kur e kemi dëgjuar një diçka të tillë”, deklaroi Dixon.

Ai tha se pretendimet e prokurorisë për qëllim kriminal tek i mbrojturi i tij është i pambështetur në prova.

“Ideja që z. Veseli u kthye në Kosovë dhe lëvizi në Kosovë për të ndihmuar rritjen e UÇK-së në mënyrë që të ishte në gjendje të angazhohej në luftime me forcat serbe dhe që ai në të njëjtën kohë kishte në mendje një plan për të kthyer armët kundër popullit të vet është absurde. Kjo absolutisht nuk mbështetet në asnjë provë. Teoritë e ZPS-së janë jashtë çdo logjike. 

Avokatët e Veselit pritet ta vazhdojnë paraqitjen e mbrojtjes edhe të enjten”, tha Dixon.

Fjalën përfundimtare, avokatët e Veselit pritet ta vazhdojnë edhe të enjten, kur pritet të prezantojë provat e saj edhe mbrojtja e ish-shefit të Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi.