Dëshmitë me pretendime se njehsorët elektrik po matin gabim dhe po shkaktojnë manipulim në faturim, anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës i dorëzuan të premten në KEDS. Visar Azemi tha se kjo është vepër penale dhe kërkoi përgjegjësi, ndërsa paralajmëroi se do ta dërgojë çështjen edhe te Prokuroria Speciale. Hetim dhe auditim të plotë të funksionimit të njehsorëve ka kërkuar edhe INDEP-i.
Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëzuan të premten disa dëshmi në zyrën e KEDS-it me të cilat pretendojnë se njehsorët elektrikë po matin gabimisht kohën.
Visar Azemi nga kjo parti tha se i kanë sjellë dëshmitë, që sipas tij, tregojnë se “KEDS-i po manipulon dhe vjedh qytetarët”
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kanë dalë kanë thënë që po manipulohen të dhënat. Nuk po manipulohen të dhënat. Tash do të hy dhe do të kërkojmë takim me menaxhmentin e KEDS-it edhe me iu shpjegu me iu dhënë këto fakte, pra kjo është vepër penale, këtu duhet me dhënë përgjegjësi, e prej këtu duhet me shku edhe te zyrat e ZRrE-së sepse nuk e kanë monitoru implementimin e vendimeve për tarifat e qytetarëve të Kosovës”, theksoi ai.
Por, askush nga zyrtarët e KEDS-it nuk pranoi të takohet me zyrtarë të LDK-së.
“Menaxhmenti nuk deshi me u taku, besa as dokumentet nuk deshën t’i pranojnë. Më sillen në disa korridore me kallxu që nuk munden. Kjo është me të ardh keq pasi nuk dëshirojnë as një përgjigje me të dhënë”, deklaroi ai.
Azemi theksoi se pas adresimit të kësaj çështjeje në KEDS/KESCO, në ZRRE, në qeveri dhe në ministri, do i drejtohet edhe Prokurorisë Speciale.
Shqetësim lidhur me këtë çështje kanë ngritur edhe në Instituti për Politika Zhvillimore, duke kërkuar hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të dokumentuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji mbi këto pretendime.
“Këto pretendime duhet të trajtohen me seriozitet të plotë institucional dhe pa vonesa. Në një sistem ku faturimi lidhet drejtpërdrejt me saktësinë e matjes dhe aplikimin korrekt të tarifave sipas kohës, çdo devijim i mundshëm cenon besimin publik, sigurinë juridike dhe mbrojtjen e konsumatorit”
INDEP po ashtu ka kërkuar një auditim të plotë të funksionimit tarifor të njësorëve dhe mekanizmave të sikronizimit kohor, për të vlerësuar nëse konsumatorët janë faturuar në kundërshtim me orarin real tarifor.
Për këtë çështje nga KEDS kanë thënë se do të flasin në një konferencë për media të thirrur për të mërkurën.
E dy ditë më parë, KEDS-i ka mohuar pretendimet e LDK-së, duke thënë se matjet janë të sakta, të besueshme dhe transparente.
KOHA pati raportuar në dhjetor të 2024-s se si banorët e një blloku banesor në Fushë-Kosovë kanë thënë se ora nëpër njehsorë figuron disa orë para ose prapa kohës reale, dhe kësisoj ua pamundëson përpjekjet për kursim.
E në qershor të 2023-s, KOHA pati raportuar se verifikimi i njehsorëve elektrikë nga zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë është bërë në laboratorë të KEDS-it edhe pse kjo ishte praktikë e ndërprerë prej 2019-s, me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji.