Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Bizneset kërkojnë shmangien e zgjedhjeve

Lulzim Rafuna

Foto: Driton Paçarada

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë u kanë dërguar mesazh partive parlamentare, duke kërkuar shmangien e zgjedhjeve të reja. Bizneset kanë paralajmëruar se një proces i ri zgjedhor do të thellonte pasigurinë ekonomike dhe do të rrezikonte stabilitetin e shtetit. Oda Ekonomike dhe Dhoma e Tregtisë kërkojnë masa konkrete për mbrojtje të ekonomisë dhe qytetarëve

Shmangia e zgjedhjeve të reja dhe garantimi i stabilitetit institucional është kërkesa kryesore që përfaqësuesit e bizneseve iu kanë bërë të martën partive parlamentare. 

Pas pasojave të bllokadës institucionale të vitit të kaluar dhe me çmimet e naftës në rritje për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, nga Oda Ekonomike dhe Dhoma e Tregtisë paralajmërojnë se një proces i ri zgjedhor do të thellonte pasigurinë ekonomike dhe do të rrezikonte stabilitetin e shtetit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna iu ka bërë thirrje subjekteve politike që të gjejnë një gjuhë të përbashkët, duke theksuar se stabiliteti politik është parakusht për atë ekonomik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kësaj here  kemi edhe një efekt tjetër gjeopolitik për shkak të luftës që është duke u zhvilluar në Iran, duhet ta kemi parasysh që Kosova është e luhatur ndaj veprimeve te kanali apo ngushtica e Hormuzit që është kryetemë në të gjitha mediat, përfshirë edhe ekonomitë tona. Kosova është një shtet që nuk e ka të zhvilluar prodhimin e vet në një masë të mjaftueshme dhe jemi të varur nga importi dhe çdo lëvizje në tregun e huaj reflektohet automatikisht edhe tek ne”, ka thënë Rafuna.

Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill, ndërsa sipas Kushtetutës presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para skadimit të mandatit, në të kundërtën vendi u drejtohet zgjedhjeve të reja.

E drejtori i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, uron që vendi të mos shkojë në zgjedhje, pasi, siç ka thënë, bizneset janë ende duke i vuajtur pasojat nga bllokada institucionale e vitit të kaluar.

“Nuk i kemi ne këto komoditete që vendi të shkohet kaq shpesh në zgjedhje. Janë një numër i madh i ligjeve, rregulloreve dhe politikave të ndryshme që duhet të ndryshohet për t’i ndihmuar ekonomisë, e përmes saj edhe qytetarëve të vendit që t’i tejkalojnë sa më lehtë krizat e shkaktuar qoftë nga vendimet e marra vitin e kaluar, por edhe nga mungesa e institucioneve për të marrë veprime të ndryshme që do të kishin një ndikim të paktën t’i përballojnë më lehtë veprimet e ndryshme që kanë ndodhë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat tashmë po reflektohen në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës, duke propozuar disa masa në mbrojtje të bizneseve dhe qytetarëve.

Vetëm brenda 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.
Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

“Ne po kërkojmë një shtyrje e përkohshme e disa taksave që do të kishin një ndikim të mirë si tek bizneset që do të pësonin nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve, por edhe qytetarët nga rritja e çmimeve të ndryshme, pasi siç dihet në momentin që rritet çmimi i derivateve, automatikisht po rriten edhe çmimet tjera, pasi rritet kostoja e transportit, prodhimit...”, ka thënë Ahmeti.

Për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rreziqeve të mundshme për rritje të çmimeve apo çrregullime në zinxhirin e furnizimit, përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë nga Qeveria dhe Kuvendi të jenë të përgatitur me një paketë të qartë mbështetëse për bizneset dhe konsumatorët”.

Por, njëkohësisht ato kanë bërë apel bizneseve dhe opinionit publik që të shfaqin kujdes ndaj lajmeve të paverifikuara që mund të shkaktojnë panik dhe të ndikojnë negativisht në funksionim të tregut.