LAJMET E MBRËMJES

Covey s’i kujton incidentet e përfshira në aktakuzën ndaj Thaçit e të tjerëve

Diplomati James Covey, ish-zëvendësshef i UNMIK-ut, u është përgjigjur të mërkurën pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare. Covey e ka përshkruar Hashim Thaçin si drejtues politik të UÇK-së, por kur është pyetur për librin e tij, ka thënë se nuk i kujton të gjitha burimet në të cilat është bazuar

Ish-zëvendësshefi i misionit të OKB-së në Kosovë, James Covey, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është pyetur për raportet e UNMIK-ut me UÇK-në dhe për librin e tij të shkruar në vitin 2005. 

Dëshminë ai e ka dhënë në kuadër të rastit më të madh të Dhomave Speciale, atë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Prokurorja Vega Iodice e ka pyetur Coveyin lidhur me një raportim në media, në të cilin është thënë se Hashim Thaçi ka qenë drejtues politik i ushtrisë dhe shqiptari më i njohur në Kosovë. Në këtë raportim, i cili nuk është shfaqur për publikun gjatë seancës të së mërkurës, është thënë se Thaçi u ka bërë thirrje për tolerancë qytetarëve të tubuar në Rahovec, porse ata nuk e kanë përfillur. 

E, dëshmitari ka thënë se pajtohet me përshkrimin për Thaçin si drejtues politik.

“E di që njihej si drejtues politik. Më 17 ka ndodhur kjo? Kjo ka qenë dy ditë pasi mbërrimë ne. Nuk më kujtohet mirë”, ka thënë Covey. 

Prokurorja Iodice e ka ballafaquar dëshmitarin edhe me librin e tij, në të cilin ai ka shkruar për Thaçin dhe për ish-presidentin Ibrahim Rugova. 

“Ju keni shkruar: ‘Gjatë shtypjes 10-vjeçare të komunitetit shqiptar, LDK-ja kishte ruajtur një aparat paralel çuditërisht të sofistikuar që drejtonte shkollat, spitalet dhe ofronte shërbimet publike bazë për komunitetin shqiptar. Sidoqoftë në fillim të viteve ‘90 disa nacionalistë shqiptarë dhe drejtues studentorë filluan ta shihnin LDK-në si pjesë të regjimit serb dhe Rugovën si instrument të tij. Shumë prej këtyre, drejtues të studentëve të inatosur përfshirë Hashim Thaçin në moshë të re, më në fund u bënë personazhet kryesore të UÇK-së. Për ta fakti që Rugova u takua me Millosheviqin para luftës konfirmonte rolin e tij si bashkëpunëtor. Këto kanë qenë fjalët tuaja në vitin 2005 apo jo”, ka pyetur prokurorja Iodice. 

Por dëshmitari ka folur vetëm për përshkrimin që ia ka bërë Thaçit, si një prej personazheve kryesore të UÇK-së.

“Që të jem i saktë, kur kam thënë janë bërë personazhe kryesore në UÇK, nuk i kam përshkruar rolet e tyre”, ka thënë ish-diplomati Covey. 

Dëshmitari është pyetur edhe lidhur me ditarin e ish-komandantit të KFOR-it, Klaus Reinhardt, i cili e ka përshkruar Thaçin si person fëmijëror dhe që ka insistuar të bëhet president. Në ditarin e tij, Reinhardt ka shkruar se Thaçi ka qenë tepër insistues në kërkesat e tija dhe e ka përshkruar atë si agresiv në takimet e Këshillit të Përkohshëm në dhjetor të ’99-ës, e në të cilat kanë marrë pjesë udhëheqës të UNMIK-ut dhe përfaqësues të partive kosovare. Por, dëshmitari nuk është pajtuar me këtë përshkrim.  

“Nuk ishte agresiv e të thoshte patjetër jo. Ai bllokonte një opsion, por të ofronte opsione të tjera”, është shprehur Covey. Ai ka thënë se Thaçi bënte politikë, porse përshkrimet e Reinhardtit kanë që të ekzagjeruara. 

Prokuroria po ashtu e ka pyetur dëshmitarin për incidentet që përshkruhen në aktakuzë, por ish-diplomati ka thënë se nuk i mban mend ato. Duke folur lidhur me librin e tij, Covey ka thënë se 20 vjet pas nuk është në gjendje të kujtojë se cilat janë burimet që i ka përdorur për shkrimin e tij. 
Covey ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës, kur shef i misionit të OKB-së ka qenë Bernard Kouchneri.

Në këtë rast gjyqësor, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e publikuar në shkurt të 2023-tës, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.