LAJMET E MBRËMJES

De Riu: Donacioni, ndihmë e Italisë për trajtimin efikas të pacientëve brenda Kosovës

Mysafirë që me vete sollën sasi të konsiderueshme pajisjesh mjekësore, ishin në vendin e paracaktuar me kohë dhe e pritën ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, për ta nisur takimin dhe ceremoninë e dorëzim-pranimit.

Por udhëheqësi i Shëndetësisë në Kosovë iu bashkua mysafirëve me pesë minuta vonesë.

Vetëm pas mbërritjes së tij, nisi ceremonia që për synim kishte ndarjen e mjeteve mjekësore për Klinikën e Pediatrisë dhe të Neonatologjisë, si donacion nga KFOR-i italian.

Antonello De Riu, ambasador i Italisë në Kosovë, ka vlerësuar se donacioni është pjesë e ndihmës së shtetit të tij për trajtim më efikas të pacientëve përbrenda Kosovës.

“Qeveria e Italisë, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme, e ka mbështetur shëndetësinë në Kosovë që nga pavarësia e saj, me një financim të vazhdueshëm për të rritur efikasitetin e sistemit shëndetësor në Kosovë, për t’ju mundësuar qytetarëve kosovarë trajtimin brenda vendit, pa pasur nevojë që të shkojnë për shërim jashtë vendit. Dhe kjo është ajo që ne duam të shmangim. Në këto vite, ekspertët tanë punuan së bashku me stafin mjekësor vendas, duke vlerësuar profesionalizimin e tyre të lartë, aftësinë dhe motivimin e jashtëzakonshëm”, tha De Riu.

E gjenerali italian, Luca Piperni, e ka kualifikuar donacionin si konfirmim të bashkëpunimit të shkëlqyer midis institucioneve të të dyja vendeve.

“Donacioni i sotëm është për të përmirësuar sistemin shëndetësor në Prishtinës, duke i mundësuar QKUK-së që të ketë pajisje mjekësore esenciale në vazhdimësi, për ta përmirësuar aftësinë e saj për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, në veçanti rreth COVID-19 dhe terapisë neonatale”, tha Piperni.

Për donacionin e dhuruar, falënderime kanë shprehur ministri i Shëndetësisë dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi.

“Krahas kësaj asistence, Italia ndër vite ka ndihmuar sistemin shëndetësor të Kosovës për të ofruar shërbime sa më cilësore, që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve shëndetësore, e në veçanti në fushën e kardiokirurgjisë. Për këtë sidomos në kardiokirurgjinë e fëmijëve që tash do të sigurojnë trajnimin e kirurgëve, të anestiologëve, infermierëve dhe infrastrukturën me pajisje të nevojshme për një shërbim shumë të rëndësishëm për të cilën ne kemi shumë nevojë në Kosovë”, tha Latifi.

Donacioni përmban një infra-tavolinë për Repartin Intensiv Pediatrik me 2 respiratorë, për 3 moduse, si dhe 2 monitorë transportues me 5 parametra.