LAJMET E MBRËMJES

Dënohet gjuha e disa deputetëve gjatë diskutimit për Projektligjin për shëndet riprodhues

“Sot mbyllëm dyert e Kuvendit të Kosovës me një mesazh të fuqishëm: Deputetët s’kanë mandat për të cenuar trupat tanë! Diskutimi i ditëve të fundit, brenda e jashtë Kuvendit mbi Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor ka qenë dehumanizues ndaj grave të Kosovës. I njëjti është përcjellë me propagandë edhe me gënjeshtra nga deputetët, për qëllime patriarkale e elektorale. Ne jemi këtu sot për të demantuar këto gënjeshtra dhe për t’ua thënë me zë të lartë emrat deputetëve patriarkalë”, ka thënë Blenda Asllani, anëtare e kolektivit “Marshojmë S’festojmë”

Aktiviste të kolektivit “Marshojmë S’festojmë” kanë realizuar të enjten një aksion simbolik para objektit të Kuvendit kundër gjuhës së përdorur nga një numër deputetësh gjatë diskutimit për Projektligjin për shëndet riprodhues.

Gjatë aksionit kjo gjuhë e deputetëve është kualifikuar si nxitje e urrejtjes ndaj grave teksa është kërkuar që ligjvënësit të sanksionohen për gjuhën denigruese dhe urrejtëse ndaj komuniteteve të caktuara të përdorur në hapësira publike.

E në hyrje të Kuvendit protestueset kanë vendosur banerë me mbishkrime “Eman, mos rrej!”, “Duda, ku i ki kufijtë?”, “Albena edhe seksiste, edhe raciste”, “Shkarkone Duda Baljen”, për deputetët të cilët kanë votuar kundër këtij projektligji.

Blenda Asllani, anëtare e kolektivit “Marshojmë S’festojmë”, ka thënë se kërkesë e grupit është që të votohet në Kuvend Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, duke e mundësuar këtë procedurë për çiftet dhe gratë beqare.

“Sot mbyllëm dyert e Kuvendit të Kosovës me një mesazh të fuqishëm: Deputetët s’kanë mandat për të cenuar trupat tanë! Diskutimi i ditëve të fundit, brenda e jashtë Kuvendit mbi Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor ka qenë dehumanizues ndaj grave të Kosovës. I njëjti, është përcjellë me propagandë edhe me gënjeshtra nga deputetët, për qëllime patriarkale e elektorale. Ne jemi këtu sot për të demantuar këto gënjeshtra dhe për t’ua thënë me zë të lartë emrat deputetëve patriarkalë”, ka thënë Asllani.

Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor ka nxitur debat qëkur është prezantuar për herë të parë para deputetëve në Kuvend. Një numër i deputetëve të partisë kryesore në pushtet kanë dalë kundër tij.

Gjuha e deputetëve kundër së cilës kanë protestuar aktivistet e kolektivit “Marshojmë S’festojmë” është dënuar edhe nga Grupi ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore. Në një reagim të tyre është kërkuar që diskutimi të zhvillohet në bazë të fakteve dhe në prizmin e të drejtave të njeriut.

“Rregullimi i kësaj fushe krijon mundësinë për organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësinë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin, për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues me qëllim të ruajtjes, promovimit, përmirësimit të të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues. Ne, anëtarët e Grupit ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore ngrenë zërin për të promovuar një mjedis parlamentar konstruktiv dhe të respektuar, që zhvillon politika progresive në përputhje me parimet e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore”, është thënë në reagim.

Projektligji për shëndet riprodhues është miratuar në parim gjatë tetorit të vitit të kaluar, pas dështimit në tri votime paraprake. Ndërkaq, javën e shkuar, Kuvendi ka dështuar që ta miratojë atë në lexim të dytë.

Projektligji parasheh që fertilizimi i asistuar të aplikohet nga institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore në Kosovë. Deri më tash ky shërbim është kryer nga disa klinika private, bazuar në një udhëzim administrativ të vitit 2013.