Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave për të dytën herë janë paraqitur në Komisionin parlamentar për Media, për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth vendimit për kthimin e kanaleve të “Arena Sport”-it në platforma kabllore. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan sërish shkarkimin e Bordit, me justifikimin se ai më nuk e ka kredibilitetin për ta vazhduar drejtimin e KPM-së
Anëtarët e Komisionit për Media kërkuan për të dytën herë shkarkimin e bordit dhe të ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave, në mbledhjen ku u diskutua për kthimin e kanaleve të “Arena Sport”-it në rrjetet kabllore, ashtu si edhe në takimin paraprak.
Këto kanale u patën ndaluar nga KPM-ja pas transmetimit të spoteve me përmbajtje lavdëruese për autorët e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Lidhur me rastin të premten u kërkua edhe hetim parlamentar, teksa përfaqësuesit e KPM-së u përballën sërish me pyetjet e deputetëve të LVV-së nëse kanë pasur presion për vendimin.
Deputeti Nijazi Isaku ka kërkuar sërish shkarkimin e Bordit të KPM-së duke theksuar se ky bord “nuk ka më kredibilitet të vazhdojë ta udhëheqë KPM-në”. Isaku ka lexuar vendimin e shkurtit të KPM-së që e ndalonte transmetimin e kanaleve të “Arena sport”.
“Askund nuk kam parë një afat se kur duhet shfuqizuar ky vendim. Askund nuk pashë në dispozitiv të vendimit që ky vendim është pezullim i përkohshëm. Të gjithë vendi e di se më 3 tetor është atakuar siguria nacionale. Vendimi është asisoj i 3 tetorit, çka ndryshoi?.. A na tregon se ku shkruan që ka qenë vendim pezullues? Kush ju bëri presion në vendimmarrjen tuaj? Akoma më shumë përforcohet bindja se ky bord nuk ka kredibiltet. Shkarkim dhe vetëm shkarkim”, ka thënë Isaku.
Kryetari i Bordit, Jeton Mehmeti, është përgjigjur duke lexuar Rregulloren e KPM-së sipas së cilës një vendim hyn në fuqi dhe mbetet në fuqi deri më ditën kur KPM e sheh që ka një ndryshim të rrethanave të shkeljes.
“Masa proporcionale është termi me rëndësi... në kuadër të të drejtave të KPM-së është që të vendosë sanksione si masa proporcionale pra karshi dëmit, karshi shkeljes, karshi përsëritjes së shkeljes e kështu me radhë. Dhe kësisoj e ka vendosur këtë masë proporcionale, karshi shkeljes që i është bërë nga ana e operatorët e shpërndarjes. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër të KPM-së. Pra, mbetet në fuqi deri kur KPM e sheh se ka një ndryshim të situatës dhe rrethanave të shkeljes e cila ka çuar deri te vendimi i parë”, ka thënë Mehmeti.
E në këtë i reagoi deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Alban Bajrami, i cili përmendi situatën kur edhe pas ndryshimit të vendimit, sipas tij, është cenuar integriteti i shtetit.
“Z. Vladimir Luqiq ka thënë që e përshëndesim vendimin e komisionit tuaj për të filluar ‘Arena Sport’ transmetimin në Kosovë dhe Metohi. Unë mendoj se është cenim. Ju keni thënë që veç 2 për qind me e cenu edhe një herë këtë vendim ne kemi me ua ndalë kontratën. Ata jo 2 për qind unë mendoj se me përqindje të madhe e kanë cenu edhe prapëseprapë ata po vazhdojnë me operu. Nuk është çështje gabimi. Qe provone, vetne ndonjë tv kur kanë gabu për herë të fundit me ja qit një spot dikujt gabim, dy-tre minuta me ja qit ni spot dikujt”, ka thënë Bajrami.
Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, dhe ai i LVV-së, Valon Ramadani, kërkuan që rasti t’i nënshtrohej një hetimi.
“Ka edhe instanca të tjera që e vërtetojnë se ky vendim a është i bazuar apo i pabazuar, a ka shkelje apo nuk ka, a është i drejtë apo i padrejtë, a është politik a s’është, d.m.th. janë çështje që duhet të diskutohen dhe secili organ meritor duhet ta thotë fjalën e vet përfundimtare lidhur me këtë vendim”, ka thënë Veliu.
E Ramadani ka thënë se kjo çështje nuk mund të përmbyllet me diskutim pa mbarim, teksa ka theksuar vërejtjen se pse vendimi për kthim të kanaleve të ‘Arena Sport’ ka hyrë në rend dite pa qenë e paralajmëruar.
“Tash është mbledhja e dytë, i kemi bë gati dy orë, kemi me vazhdu prapë, si duket kemi me shku tek ajo që u përmend edhe në mbledhjen e parë, që për këtë punë me gjasë ka nevojë për një komision hetimor, se është e pamundshme në pafundësi me vazhdu kështu. Pse në pika të ndryshme. Kur është një pikë e rëndësishme thirret mbledhje kryesore jo pika të ndryshme”, ka thënë Ramadani.
U kërkuan edhe sqarime nëse është pranuar kërkim-falje për transmetimin e mesazheve lavdëruese për kryerësit e sulmit të 24 shtatorit. Deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, kërkoi të dijë nëse operatorët kërkuan falje njësoj siç edhe shfaqën mesazhet me motive nacionale serbe.
“Nëse operatori në mënyrë vizuale e ka shfaqur propagandën në mbështetje të terroristëve, pas një kohe paska kërkuar falje... Po kjo kërkim falje a u shfaq në këto kanale njëjtë sikur u mbështetën edhe terroristët. Pra, ashtu siç u ofenduan qytetarët me atë transmetim, a u bë transmetimi i njëjtë me kërkim faljen. Me sa e mora vesh është jo”, ka thënë Thaçi.
Për mënyrën e kërkimfaljes kërkoi sqarime edhe deputeti i po kësaj partie, Besim Muzaqi.
“Ku është kërkimfalja? Kujt i është drejtuar? Dhe kush është kompetent me e pranu këtë kërkimfalje? Unë ju ballafaqova edhe me argumentin se ata nuk e pranojnë fajin, thonë se ka ndodhur jo qëllimshëm. ‘Përmbajtjet e transmetuara më herët nuk kanë qenë të qëllimshme’ dhe këtë po e citoj nga dokumenti juaj”, ka thënë Muzaqi.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KPM-së, Faruk Rexhaj, ka arsyetuar vendimin me garancinë që iu është dhënë për mospërsëritje të veprimit.
“Kemi pranuar edhe nga ‘Arena Sport’, d.m.th. direkt që vjen, thjesht kërkimfalje, tash a mund ta quajmë këtë, mirëpo shprehin keqardhje për atë që ka ndodhur… Kanë garantuar se përmbajtje të tilla nuk do të përsëriten dhe kanë krijuar mekanizma të cilat do të punojnë që këto kanale të kontrollohen në tërësi dhe çdo përmbajtje e tyre do të garantohet që do të jetë në përputhje me ligjin dhe rregulloret e KPM-s”, ka thënë Rexhaj.
Pas diskutimit rreth treorësh Komisioni mori vendim që çështja të diskutohej sërish javën e ardhshme.