LAJMET E MBRËMJES

Deputetët nuk i japin fund ngërçit në Kuvend as në tentimin e 35-të

Ngërçi në Kuvend nuk u kapërcye as të shtunën, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë legjislaturën e re edhe në përpjekjen e 35-të. Sërish, përfaqësues të dy taborëve politikë përgjegjësinë për dështimin ia faturuan njëri-tjetri. E për rrugëdalje, një deputet kundërshtues e premtoi mbështetjen për cilindo kandidat për kryeparlamentar që i siguron 60 votat e tjera të nevojshme

As të shtunën nuk bënë lëvizje drejt përmbylljes me sukses të konstituimit të legjislaturës së re, 94 deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit.

Qëndrimet e tyre të pandryshuara prej më se dy muajsh e çuan në dështim edhe tentimin e 35-të për funksionalizimin e Kuvendit.

Në këtë vazhdim të seancës konstituive u nxor në votim për të 26-tën herë radhazi Komisioni për votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Propozime për anëtarë të tij nuk paraqitën partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë dhe as Lista Serbe. E për pasojë, as nuk votuan për të.

“Për kanë votuar 51 deputetë, kundër ka qenë një, abstenim nuk kemi. Nuk kemi kuorum, ndërpritet seanca”, ka thënë deputeti Avni Dehari, i cili është kryesues i seancës.

Pas dështimit të radhës, bllokada parlamentare nxiti në oborrin e Kuvendit polemikë mes dy deputetëve, atij të LVV-së Agim Bahtiri dhe deputetit të LDK-së, Armend Zemaj.

E në deklarimet pas seancës, përfaqësues të opozitës së mandatit të shkuar e akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje për abuzim me të drejtën e saj për nominimin e kandidatit për kryeparlamentar.

“Po shihet qartë një abuzim i një të drejte që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe ajo e drejtë është që ia ka dhënë partisë së parë të drejtën të nominojë kandidatin për kryetar. Ne e kemi pranuar këtë të drejtë, por nuk mund ta pranojmë abuzimin që po e bën Lëvizja Vetëvendosje që për 35 herë të mos konstituohet Kuvendi”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Edhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka hedhur akuza në drejtim të LVV-së.

“Edhe një herë u demonstrua publikisht që për Lëvizjen Vetëvendosje, për Albin Kurtin, pushteti është më i rëndësishëm se shteti. Egoja është më e madhe se Kosova. Ambicia është më e madhe dhe më e rëndësishme se demokracia. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga Lëvizja Vetëvendosje që të reflektojë”, ka thënë Çitaku.

Në Vetëvendosje thanë se hisedarë në konstituimin e Kuvendit janë të gjithë deputetët dhe se për bllokadën, përgjegjësinë duhet ta mbajë tabori i kundërt që nuk bëhet pjesë e vendimmarrjes.

“Asnjë prej tyre nuk di t’u tregojë se pse kanë ardhur sot, nëse nuk votojnë. Pse janë çuar në mëngjes, janë veshur, janë ndrequr dhe vijnë e ulen në ulëset e Kuvendit të Republikës dhe nuk votojnë as për, as kundër dhe as nuk abstenojnë. Cili është funksioni i një deputeti që çohet në mëngjes, vjen dhe shkon te shtëpia, pa lënë shenjë kurrkund hiç”, ka thënë deputeti i LVV-së, Dimal Basha.

E një alternativë për daljen nga ngërçi e ofroi deputeti nga radhët e komuniteteve joshumicë, Veton Berisha, që deri më tani votoi kundër kandidates së Vetëvendosjes për kryeparlamentare.

“Le t’i bëjnë 60, i 61-ti jam unë. Nuk mund të flasë për të tjerët. Ai mandatar që i bën 60, unë jam i 61-ti. Për mua ka rëndësi shumë dalja nga kjo situatë”, ka thënë Berisha.

Vazhdimi i radhës i seancës konstituive do të mbahet të hënën, me fillim nga ora 11.