Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Deputetët s’bëhen bashkë as për rezolutën në mbrojtje të dinjitetit të viktimave të luftës

Kuvendi

Foto: Driton Paçarada

As rezoluta për mbrojtjen e së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës nuk ka arritur t’i bëjë njëzëri deputetët e Kuvendit të Kosovës. Me kërkesën e panegociueshme të PDK-së që kjo rezolutë të jetë pikë e parë e rendit të ditës nuk u pajtua Lëvizja Vetëvendosje, çka pati për pasojë largimin e deputetëve të PDK-së nga salla e Kuvendit. Në seancë u bë edhe një vërejtje për fjalorin që kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj përdori në drejtim të kryeministrit Albin Kurti

Ekspozita “Masakrat në Kosovë” është bërë shkas që Partia Demokratike e Kosovës të propozojë para Kuvendit një rezolutë në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës, për të cilën nuk ka pasur konsensus në seancën e së enjtes.

Propozimi i PDK-së është bërë me kushtin që të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës dhe punimet e Kuvendit të seancës, të pezulloheshin deri në hartimin e saj nga të gjitha grupet parlamentare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk ka fije kuptimi që ne të trajtojmë çështje të tjera sot, pa e trajtuar këtë rezolutë. Po e them sinqerisht, vonë jemi duhet ta bëjmë menjëherë”, ka thënë deputetja nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.

Me këtë kërkesë për rezolutë janë pajtuar edhe partitë e tjera opozitare.

“Në parim pajtohemi për të sepse mendojmë që është obligim shtetëror ta mbrojmë të vërtetën dhe të kaluarën”, ka thënë deputetja nga radhët e LDK-së, Jehona Lushaku.

Përkrahje asaj i ka dhënë edhe deputeti nga AAK-ja, Besnik Tahiri.

“Propozimi im është gjithashtu të jetë si pikë e parë. Nuk besoj qe ka nevojë për shkencë të madhe”, ka thënë ai.

Por, Vetëvendosje nuk e ka mbështetur këtë kërkesë pa kushte si pjesa tjetër e opozitës.

Kjo parti ka propozuar që ajo të ishte pika e fundit e rendit të ditës.

“Ne jemi të gatshëm të delegojmë një deputet dhe të punojnë gjatë ditës si pjesë e një grupi të përbashkët dhe në fund të ditës të sjellim një draft të harmonizuar të rezolutës”, ka thënë deputetja Arbërie Nagavci (LVV).

Por, Çitaku ka insistuar duke paralajmëruar largim nga salla.

“Ata që seriozisht mendojnë që kjo çështje është serioze nuk duhet të preokupohen a vendoset si pikë e parë a e fundit”, ka thënë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit.

Por nga partia propozuese, PDK, nuk kanë pranuar.

“Në rast se nuk kalon si pikë e parë ne e tërheqim propozimin dhe largohemi”, ka thënë Çitaku.

Për shkak se nuk kanë gjetur koordinim, deputetët e PDK-së e lëshuar sallën.

E pasi ata dolën dhe përfundoi çështja e rezolutës, Lista Serbe u fut në sallë.

Seanca u zhvillua pa praninë e Partisë Demokratike por çështja e ekspozitës erdhi sërish në diskutim nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, si reagim ndaj një deklarimi të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se mediat duhet të jenë transparente sa i përket pronësisë dhe financimit.

“Thotë po financohen mediat me thasë. Ky shpenzon më së shumti para duke ushqyer zagarë me i fy shqiptarët”, është shprehur Haradinaj.

Në këtë moment, kryetarja e Kuvendit ka kërkuar që t’i ndalet fjalimi Haradinajt, për çka ai ka shtuar: “Mashtrimi nuk është fyerje”.

Fjalimi megjithatë i është ndërprerë, por ai e ka vazhduar atë pa mikrofon të hapur.

Në këtë seancë të parë të rregullt, në Kuvend pati debat edhe për rritjen e çmimeve të derivateve dhe të energjisë elektrike.