Michael Durkee, i cili ka qenë këshilltar i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se UÇK-ja vazhdimisht ka bërë përpjeke për ta paraqitur Drejtorinë Politike të UÇK-së më të rëndësishme sesa Shtabin e Përgjithshëm. Ai gjithashtu ka thënë se komandantët e zonave kanë pasur autonomi të konsiderueshme
Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as kompetencë për të ndaluar dhunën që ka ndodhur në muajt e parë pas çlirimit të Kosovës, ka thënë të enjten Michael Durkee, ish-këshilltar i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark.
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Durkee ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka pasur strukturë të konsoliduar të komandës dhe se komandantët e zonave operative kanë pasur autonomi të konsiderueshme.
“Nuk kishte strukturë komanduese që ai mund ta përdorte për ta ndaluar dhunën. Ne e kishim këtë përshtypje që nuk kishte një strukturë solide ose e konsoliduar e komandës që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra që më pas do të çonin në veprime ose në operacione të caktuara në terren, nëpër zona operative. Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe ekzistonte vullneti i tyre për të vepruar me kokën e tyre, kur ata e mendonin të përshtatshme”, ka theksuar Durkee, i cili është dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi.
Gjatë dëshmisë së tij, Durkee ka thënë se Hashim Thaçi ka qenë njëri nga personat që shprehej se në Kosovë duhet të krijohet një shoqëri multietnike. Ai ka thënë se Thaçin e ka takuar në Belgjikë dhe se me këtë rast ai i është prezantuar si udhëheqës i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe jo si komandant.
Durkee ka theksuar se UÇK-ja ka bërë vazhdimisht përpjekje për ta paraqitur Drejtorinë Politike më të rëndësishme sesa Shtabi i Përgjithshëm dhe se disa nga komandantët e zonave nuk e kanë pranuar Marrëveshjen e Demobilizimit.
“Ne e dinim se disa komanda të zonave nuk e pranonin Marrëveshjen e Demobilizimit. Ata mendonin që ishin elementët që do ta udhëhiqnin Kosovën drejt pavarësisë dhe se kishin qenë pjesë të fushëbetejave dhe nuk donin të hiqnin dorë lehtë nga roli i tyre, thjesht se ua kërkonte komuniteti ndërkombëtar. Për këtë Marrëveshje të Demobilizimit, komandantët e zonave u konsultuan paraprakisht, të paktën një grup prej tyre ishte i gatshëm ta pranonte dhe i respektonin”, ka thënë dëshmitari.
Durkee e ka nisur dëshminë të mërkurën, kur ka thënë se Thaçi nuk ka pasur rol ushtarak në UÇK, porse vetëm politik.
E të hënën, në kuadër të këtij rasti, është paralajmëruar se dëshminë do ta nisë edhe ish-komandanti i NATO-s për Evropë, Wesley Clark.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila është publikuar në shkurt të 2023-tës, ata ngarkohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura dhe trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999.
Në ZPS kanë pretenduar se ata kanë kryer ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte, si: Përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje e paligjshme (Pika 8), zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9).
Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta merrnin pushtetin në Kosovë përmes tyre.