LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari serb thotë se u ndalua për 56 ditë dhe se u keqtrajtua nga UÇK-ja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të hënën dëshmoi një serb, i dhjeti me radhë nga dëshmitarët në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ai tha se ishte rojtar pylli dhe se u ndalua nga ushtarët e UÇK-së për t’u mbajtur 56 ditë. Sipas tij, u rrah e u keqtrajtua në forma të ndryshme, ndërkohë për urdhrat e akuzoi Latif Gashin

Dëshmitari serb, i dhjeti në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara në Hagë, ka thënë të hënën se gjatë vitit 1998, teksa ishte në punën e tij si rojtar pylli, është ndalur nga ushtarët e UÇK-së dhe gjatë 56 ditëve ndalim është rrahur e keqtrajtuar në mënyrë të ndryshme.

Ai tha se Latif Gashi ka dhënë urdhër tek ushtarët e UÇK-së për keqtrajtimin e tij.

“Në dëshminë që keni dhënë në Gjykatë më 2002, më 2003 dhe më 2009 ju keni thënë që Latif Gashi ju ka rrahur edhe ju, a është kjo e saktë?”, ka theksuar prokurorit special, Ward Ferdinandusse.

Dëshmitari ka thënë se është e saktë që ai ka dhënë urdhër për ta rrahur.

“Mirëpo unë i kam pasur sytë e lidhur, kështu që mund të më ketë rrahur edhe ai, mirëpo ka dy versione: njëri se ai ka dhënë urdhër sepse ishte përgjegjës dhe ndoshta edhe më ka rrahur edhe vetë ndonjëherë. Më 21 gusht ai ishte i përshirë në rrahjen time dhe të Berishës në mbrëmje. Ne u rrahëm aq shumë sa që unë mendoj se edhe ai ishte pjesë e grupit që na rrahën atë natë””, ka deklaruar dëshmitari.

I pyetur nga prokurori për një dokument të nënshkruar, dëshmitari tha se Latif Gashi e ka detyruar ta nënshkruajë atë më 26 shtator të vitit 1998 në ditën kur është liruar.

“Duhej ta nënshkruaja që nuk do të shkelë më në Kosovë, që nuk jam keqtrajtuar, që nuk më ka ndodhur asgjë e keqe. Do ta nënshkruaja se bëhej fjalë për jetën time, sepse në qoftë se nuk do ta nënshkruaja, do të thoshte që nuk do të lirohesha”, ka theksuar dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, të ndaluar me të ishin edhe Sabit Berisha që siç u shpreh ai, ushtarët e UÇK-së e keqtrajtuan me arsyetimin se ishte bashkëpunëtor i Serbisë.

Me këtë arsyetim, dëshmitari tha se edhe një person me emrin Osman Sinani, është rrahur, siç u shpreh, deri në vdekje.

“Çfarë të ka thënë Fadil Sylejviqi sa i takon Osman Sinanit, ai të ka thënë që Osmanin e kishin rrahur me shkopinj, më shufra hekuri, a të tregoi ty ai se kush e kishte rrahur Osman Sinanin”, ka theksuar prokurori Ferdinanduesse.

Dëshmitari ka theksuar se Sylejviqi thjeshtë i ka thënë se atij i kishin dhënë urdhër ta bënte këtë gjë. “Ai gjithmonë merrte urdhra nga Latif Gashi, sepse në ishim nën kontrollin e tij. Do të thotë personi që na kontrollonte ne ishte Latif Gashi, ishte përgjegjës, kishte edhe shumë persona të tjerë aty”, theksoi dëshmitari.

Dëshmitari po ashtu tha se me urdhër të Latif Gashit, civilët e ndaluar ishin dërguar në një vend për të gropuar dhe për të ndërtuar bunkerë. E qendrat e ndalimit, sipas tij ishin në Bare dhe Bajgorë.

Pas pyetjeve nga mbrojtja e të akuzuarve Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi dhe gjykatësit, dëshmitari përfundoi dëshminë e tij. Në orët e pasdites të së hënës, nisi dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë. Ai pritet të dëgjohet edhe gjatë së martës.