LAJMET E MBRËMJES

Gjenden mbetje mortore në Hajvali në bazë të skicës që dorëzoi Serbia

Në fshatin Hajvali të Prishtinës janë gjetur mbetje mortore të katër personave që besohet se u vranë gjatë luftës së fundit. Përfaqësues të komisionit qeveritar për personat e zhdukur treguan se nën presionin ndërkombëtar, Serbinë ka siguruar një skicë që e ka sugjeruar këtë lokacion për gërmim. Ata bën thirrje për më shumë presion ndaj Serbisë

Mbetjet mortore të katër personave që dyshohet të jenë viktima të luftës së fundit në Kosovë, janë gjetur përgjatë dy ditëve të fundit në varrezat e fshatit të Prishtinës, Hajvali.

Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, bashkë me ata të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, kanë gjetur mbetjet e tre personave të hënën, si dhe të një tjetri të martën.

Anëtari i këtij komisioni, Kushtrim Gara, ka bërë të ditur se nën presionin ndërkombëtar, Serbia ka siguruar një skicë që e ka sugjeruar këtë lokacion për gërmim.

“Një nga inforatat që është trajtuar, duke falënderuar komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq është pikërisht një skicë që është siguruar pas shumë presioneve përmes komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Megjithatë, më shumë se kjo skicë, po flasim diku për tetë raporte të autopsisë nga një proces zhvarrimi që ka ndodhur në tetor të 99-ës”, ka thënë Gara.

E, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, ka thënë se mbetjet do të ekzaminohen më tej.

“Sigurisht që tani do t’i dërgojmë në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve mjekologjore dhe identifikimit. Sapo të përfundojnë të gjitha këto procedura, nëse kemi identifikim pozitiv përmes metodave shkencore të ADN-së, sigurisht që pastaj do t’i njoftojmë familjarët”, ka thënë Haliti. 

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Andin Hoti, ka deklaruar se në gjysmën e lokacioneve ku është bërë gërmim deri tash, janë gjetur mbetje mortore.

“Nga 24 lokacione ne kemi arritur të gjejmë mbetje mortore të personave që potencialisht mund të jenë nga lista e personave të zhdukurve në 12 lokacione. Kjo nuk do të thotë që patjetër këta persona janë persona të zhdukur. Këtë e thotë patjetër vetëm kur vjen raporti i ADN-së”, ka deklaruar Hoti.

Në bazë të raporteve të siguruara nga Kryqi i Kuq dhe analizës së informacioneve plotësuese si librat e morgut të vitit 1999, institucionet kanë dalë në përfundim se në varrezat e Hajvalisë mund të jenë shtatë persona të zhdukur me dhunë. Sipas Institutit, gërmime janë duke u bërë edhe në Kozhle të Serbisë, ku dyshohet se forcat serbe i kanë bartur kufomat e viktimave shqiptare nga Spitali i Prishtinës dhe i kanë groposur në këto varreza. 

Hetimin për këtë rast është duke e realizuar Prokuroria Speciale, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresën për gërmimet. 

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë persona, ndërsa 1534 vazhdojnë të jenë të zhdukur.