LAJMET E MBRËMJES

Gjendet i groposur trupi i një qytetari që u raportua i zhdukur

Familjarët kanë gjetur trupin e Enver Bajraktarit, pak kohë pasi e kishin raportuar si të zhdukur. Trupi i pajetë u gjet brenda një are të mbjellë me misër. Rastin Prokuroria Themelore në Prishtinë po e heton si vrasje të rëndë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për vrasje të rëndë të Enver Bajraktarit, pasi të hënën banorit të Baicës së Lipjanit, gjetën trupin e tij të varrosur. 

Në bazë të raportit të Policisë, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. 

“Në një arë është gjetur i varrosur një trup i pajetë, mashkull rreth moshës 50-60-vjeçare, trupi i cili sipas IML-së është i freskët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori kujdestar dhe së bashku me njësinë e zhvarrimit e kanë nxjerrë trupin e pajetë”, thuhet në raportin e Policisë. “Në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarë”.

Trupin e Bajraktarit e gjetën familjarët në një arë të mbjellë me misër, pak kohë pasi e kishin raportuar si të zhdukur.

Besnik Bajraktari, familjar i të ndjerit, tha se me Enver Bajraktarin u takua një ditë më parë. 

“Rreth orës 16:00, familjarët e kanë lëshuar lopën për të kullotur, ndërkaq rreth orës 17:30 - 18:00, lopa është kthyer te shtëpia, por pa çobanin. Kanë tentuar të kontaktojnë me të, por nuk kanë mundur të kenë kontakt. Kanë pyetur edhe te miqtë e afërt, por nuk është gjetur askund. Kur kanë parë që nuk është askund, ka filluar i gjithë fshati të kërkojë”, ka treguar fqinji i viktimës.

Sipas tij, para se t’i hidhej dhe trupit, i ishin vendosur edhe dërrasa.

“Djemtë që kanë ardhur, e kanë kërkuar përmes shkopit që përdorej për të ruajtur lopën. Aty kanë parë që kishte zvarritje në kallamoq. Më pas, përmes atyre gjurmëve, kanë shkuar më tutje. Kur kanë parë dheun e sapovendosur dhe misrin e mbjellë sipër tij, është kuptuar se bëhej fjalë për një varr të mundshëm. Kur është hapur varri, është gjetur dërrasa dhe është parë se brenda ishte kufoma e një njeriu. Nuk dihet ende saktësisht, pasi duhet të merret forenzika... Nuk dihet, pasi nuk supozohet që ka pasur ndonjë gjë”, ka thënë Bajraktari.

Në Prokurorinë Themelore thanë se në bashkëpunim me Policinë janë duke kryer hetime intensive me qëllim të zbardhjes së plotë rrethanave.