Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Gjendet trupi i pajetë i 25-vjeçarit të zhdukur në Batllavë

Gjendet trupi i pajetë i 25-vjeçarit të zhdukur në Liqenin e Batllavës

Pas 24 orësh nga zhdukja, 25-vjeçari me inicialet L. R. është gjetur pa shenja jete në Liqenin e Batllavës. Ekipet e Forcës së Sigurisë rreth orës 13:00 kanë arritur ta nxjerrin trupin e pajetë të tij, e në vendin e ngjarjes dolën edhe ekipe të Institutit të Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme. Sipas Policisë, rasti po hetohet në koordinim me Prokurorin e Shtetit

Është nxjerrë të mërkurën pa shenja jete 25-vjeçari, që një ditë më parë u raportua si i zhdukur në Liqenin e Batllavës.

Në ditën e dytë të kërkimeve, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë (FSK) kanë arritur ta gjejnë trupin e pajetë. Vetëm të mërkurën, këto ekipe bënë 11 orë kërkime në liqen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pas dy ditë kërkimesh ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të personit të zhdukur dje në Liqenin e Batllavës me inicialet L.R. I gjithë operacioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, strukturat komunale të komunës së Podujevës dhe shoqatat e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftimin e FSK-së. “Pas evakuimit të viktimës trupi i pajetë i është dorëzuar Mjekësisë Ligjore dhe Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejme”.

Personi me inicialet L.R., i cili ishte raportuar i zhdukur që nga ora 13:00 e së martës, fillimisht kishte hyrë në liqen me një varkë, ndërsa më pas ishte futur në ujë për të notuar, por nuk ishte parë më.

Ekipet e FSK-së së bashku me Policinë nisën menjëherë operacionin e kërkimit-shpëtimit. 

E rreth orës 13:00 të së mërkurës u arrit lokalizimi dhe nxjerrja e trupit.

Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekzaminimeve mjeko-ligjore.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, tha se në koordinim me prokurorin e shtetit, po zhvillohen procedurat hetimore lidhur me  rastin.

“Dje rreth orës 13:00, policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit. Kurse sot, pas përpjekjeve nga ekipi i kërkimit-shpëtimit, personi është arritur të nxirret nga uji. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore lidhur me rastin”, ka thënë Pllana.

Në vendin e ngjarjes gjatë gjithë ditës qëndruan edhe familjarët e viktimës, të cilët nuk pranuan të prononcohen për media.