Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, të hënën ka qëndruar në Kosovë prej ku tha se qeveria së cilës i takon do të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Tek ka folur për sigurinë në vend ai paralajmëroi trupa shtesë në kuadër të KFOR-it gjerman, ndërsa palëve u bëri thirrje që përmes dialogut t’i zgjidhin mospajtimet aktuale.
Forcim të sigurisë përmes misionit të KFOR-it dhe ngritjes së kapaciteteve vetjake të Kosovës ka premtuar ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, gjatë vizitës në Kosovë.
Tek ka bërë thirrje për shmangien e tensioneve mes Kosovës e Serbisë e kthim në dialog, ai ka konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë edhe në kuadër të KFOR-it dhe paralajmëroi trupa shtesë në pranverë.
“Duam ta bëjmë të qartë se Kosova ka mbështetje edhe nga aspekti ushtarak për të garantuar sigurinë. Po ashtu, duam të shohim që dialogu dhe shtensionimi të ndodhin. Dialogu duhet të rinisë shpejt, sepse vetëm atëherë Kosova dhe rajoni i afrohen integrimit, dhe këtu bën pjesë edhe zbatimi i masave të dakorduara në Ohër. Ky duhet të jetë qëllimi, pra, është anëtarësimi i të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. E dimë që çështja e njohjes së Kosovës i vështirëson këto përpjekje esencialisht, sepse ka edhe pesë vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Por të jeni të sigurt që ne do t’ju mbështesim edhe më tej në këtë drejtim”, tha ai.
E presidentja Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët me ministrin gjerman tek kërkoi ndihmën e Gjermanisë në forcimin e sigurisë, përmendi sërish rreziqet që vijnë nga Serbia, pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë.
“Hetimet zyrtare konfirmojnë se prapa këtij sulmi terrorist dhe akti agresioni kundër Republikës sonë qëndron Serbia dhe institucionet e saj, nga organizimi, furnizimi me armatim dhe trajnimi i terroristëve në bazat e tyre ushtarake. Sot në vend që Serbia t’i ekstradojë terroristët, vazhdon t’i inkurajojë ata për të destabilizuar Kosovën dhe rajonit. Për fat të keq, Serbisë nuk i janë shqiptuar as masa nga Bashkimi Evropian. Të gjitha dëshmitë që ne i marrim nga institucionet tona të sigurisë tregojnë se Serbia vazhdon të planifikojë sulme të reja”, theksoi ajo.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, Pistorius e përmbylli ditën me homologun kosovar, Ejup Maqedonci, dhe ushtarakë të tjerë në kazermën e FSK-së, “Evropianët e rinj”.
Atje u njoftua me pajisjet ushtarake të Forcës së Sigurisë të Kosovës, disa prej të cilave janë edhe donacion nga shteti gjerman.
Pistorius premtoi se Gjermania do të vazhdojë ta ndihmojë FSK-në në forcimin e kapaciteteve të saj, duke zotuar shtatë milionë euro për Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit.