LAJMET E MBRËMJES

Hovenier: Menaxhimi i veriut është i komplikuar, Kosova nuk është përgjegjësja e vetme

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se SHBA-ja kërkon koordinim për menaxhim të veriut të Kosovës, pasi e sheh si të ndjeshme këtë çështje. Në një konferencë për media të martën, ambasadori amerikan tha se është e vështirë të thuhet nëse situata në veri është afër depërshkallëzimit të plotë. Po ashtu, tha se Kosova nuk është përgjegjësja e vetme për situatën

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, situata në veri të vendit është çështje e ndjeshme dhe kërkohet koordinim për menaxhimin e saj.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, gjatë një konference për media të martën, pas hapjes së një qendre në Pejë, theksoi se SHBA-ja dëshiron që Kosova t’i arrijë qëllimet e veta dhe se e mbështet që të jetë vend demokratik e sovran.

“Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme, andaj duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangen momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, deklaroi Hovenier.

Hovenier tha se e ka të vështirë të përgjigjet nëse situata në veri është afër shtensionimit pas dakordimit të emisarit të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për të bërë hapat e parë në këtë drejtim.

Ai theksoi nevojën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes bazë.

“Është e vështirë të përgjigjem tani se sa afër deeskalimit jemi. Kemi parë se z. Lajçak dhe z. Bislimi dje kanë rënë dakord për disa hapa fillestar që çojnë drejt deeskalimit. Ajo çfarë mund të them nga perspektiva e SHBA-së është që ne shpresojmë në deeskalim të plotë të situatës në veri dhe kthim në çështjen e rëndësishme - zbatimin e marrëveshjes së Ohrit nga të dyja palët dhe të evitojmë kriza të reja”, deklaroi Hovenier.

Për sanksionet e mundshme ndaj Serbisë, ambasadori amerikan, Hovenier, u shpreh se duhet të flasë ambasadori amerikan në Serbi ose emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Megjithatë, ai ka vlerësuar se Kosova nuk është përgjegjësja e vetme për tensionet e krijuara.

I pyetur për audio – incizimet e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiqit, ai ka refuzuar të flasë, por se ka kujtuar se Millan Radojiçiqi, që përmendet në incizim, është në listën e zezë të SHBA-së.

Tensionet në veri filluan më 26 maj, pasi që serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet kryesore komunale.

Kryetari i vetëm që po vazhdon qëndrimin në objektin komunal është Lulzim Hetemi në Leposaviq.