Hungaria mbështet plotësisht aspiratën e Kosovës për integrim evropian, ka deklaruar të martën presidenti hungarez Tamas Sulyok pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Gjatë vizitës në Hungari, Osmani është shprehur e gatshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me shtetin hungarez
Presidentja Vjosa Osmani është takuar të martën me homologun e saj hungarez, Tamas Sulyok, gjatë vizitës së saj në Hungari.
Osmani në Budapest është pritur me ceremoni ushtarake, derisa në takimin bilateral me presidentin Sulyok ka thënë se është diskutuar për marrëdhëniet mes të dyja shteteve dhe avancimin e bashkëpunimit.
“Sot, në takim me presidentin hungarez, Tamás Sulyok, diskutuam thellimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve tona. Potenciali për rritjen e mëtejme të bashkëpunimit Kosovë-Hungari është i madh dhe vendi ynë mbetet i përkushtuar për të hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet tona. Në takim ia shpreha presidentit Sulyok mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Hungarisë në kuadër të KFOR-it, për mbështetjen e dhënë studentëve të Kosovës ndër vite, si dhe për iniciativat që kanë ofruar edhe më shumë dy vendet tona”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale pas takimit.
E presidenti hungarez ka deklaruar se mbështet aspiratën e Kosovës për integrimin evropian.
“Në takimin tonë ramë dakord se marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Kosovës karakterizohen nga respekti dhe besimi i ndërsjellë. Duhet ta forcojmë më tej këtë themel të çmuar, prandaj synojmë një partneritet të qëndrueshëm dhe bashkëpunues në çështje ekonomike si arsimi apo politikat familjare. Në këtë frymë Hungaria e mbështet plotësisht aspiratën e Kosovës për integrim evropian”, ka thënë Sulyok.
Gjatë vizitës në Hungari presidentja Osmani do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, me përfaqësues të odave ekonomike dhe do të mbajë ligjëratë në Universitetin hungarez.