Bazuar në raportin e IKD-së, Lëvizja Vetëvendosje prin me numrin më të madh të kandidatëve për deputetë të përfshirë në raste penale e që garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Sipas raportit, 25 nga 902 kandidatët e certifikuar ose kanë dënime të formës së prerë ose aktakuza aktive
Lëvizja Vetëvendosje prin me numrin më të madh të kandidatëve për deputetë të përfshirë në raste penale, tregon një raport i publikuar të premten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas të dhënave të raportit “Integriteti i listave zgjedhore – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 7 qershor 2026”, nga gjithsej 902 kandidatë të certifikuar për deputetë, 25 prej tyre rezultojnë të përfshirë në raste penale. Kjo përbën 2.77 për qind të totalit të kandidatëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDetaje për numrin e kandidatëve të këtillë që janë në lista të partive, ka dhënë Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD.
“Sa u përket subjekteve politike, numrin më të madh të kandidatëve të cilët kanë probleme me ligjin e mban Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 13 kandidatë, që në raport me listën e përgjithshme prej 902 kandidatëve, pjesëmarrja e këtij subjekti është 1.44 për qind. AAK-ja dhe Lista Serbe kanë nga 3 kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, që përbën 0.33 për qind të listës së përgjithshme, KDTP-ja me 2 kandidatë që përbën 0.22 për qind të listës së përgjithshme, ndërkaq katër subjekte të tjera (PSD, PDK, SDU dhe IRDK) kanë të përfshirë nga një kandidat që ka probleme me ligjin”, ka thënë Shala.
Ai ka theksuar se veprat penale që dominojnë janë ato që lidhen me korrupsionin zyrtar dhe përdorimin e armës.
“Sa u përket kapitujve të veprave penale për të cilat ose janë dënuar ose akuzohen kandidatët në fjalë, sipas kapitujve dominojnë veprat penale të korrupsionit zyrtar, ndërkaq sipas veprave penale, vepra më e shpeshtë është vepra e përdorimit të armës”, ka thënë Shala.
Hulumtuesja e IKD-së, Shqiponjë Gashi, tha se IKD -ja vlerëson që personat e përfshirë në raste penale nuk duhet të jenë pjesë e listave zgjedhore dhe as bartës të institucioneve publike.
“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme përcakton se e drejta për kandidim kufizohet vetëm për persona të cilët në tre vjetët e fundit janë dënuar me vendim të formës së prerë me një vit ose më shumë burgim efektiv. Megjithatë, IKD-ja konsideron që subjektet politike duhet të aplikojnë standarde më të larta të integritetit edhe përtej këtij minimumi ligjor. Andaj Instituti i Kosovës për Drejtësi vazhdimisht ka kërkuar nga subjektet politike që në listat zgjedhore të mos përfshihen persona të cilët janë të përfshirë në rastet penale”, ka thënë Gashi.
Në aspektin e krahasimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, në raport thuhet se në zgjedhjet e vitit 2026 është shënuar ulje e lehtë e numrit të kandidatëve të përfshirë në raste penale.
Por, është rritur numri i kandidatëve me dënime penale.