Latifi, pos dënimit me burgim, ka marrë edhe gjobë prej 5.000 eurosh, si dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në kohëzgjatje prej tre vjetësh. I akuzuar bashkë me ish-kryeshefin ka qenë edhe ish-drejtori i Administratës dhe Financave i KPM-së, Arben Bilalli, porse ai e pati pranuar fajësinë para dy vjetësh
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-kryeshefin e Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, për marrje ryshfeti.
Latifi u dënua të martën me dy vjet burgim dhe 5.000 euro gjobë
“Të pandehurin e gjykon; dënim me burgim me kohëzgjatje prej dy vjetësh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak; si dhe dënim me burg në shumën prej 5000 eurosh, të cilin dënim obligohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Po qe se dënimi me gjobë nuk mund të realizohet konform nenit 43 paragrafit 3 të KPRK-së, ai zëvendësohet me dënim me burgim duke u llogaritur 20 euro për një ditë burgim”, ka lexuar verdiktin kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi.
Trupi gjykues i ka shqiptuar Latifit edhe dënim plotësues që ka të bëjë me mosushtrimin e funksioneve në administratë.
“Gjykata duke vepruar në bazë të nenit 59 dhe 63 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës të pandehurit i shqipton dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose shërbime publike në kohëzgjatje prej tre vjetësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe vuajtjes së dënimit”, ka thënë Ajvazi.
I bashkakuzuari i Latifit, Arben Bilalli, ish-shef i Administratës e Financave të KPM-së, është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë në korrik 2022, pasi pranoi fajësinë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur në shtator 2021, thuhet se të pandehurit i kërkuan ryshfet kabllorit “Telkos” 20.000 euro, pasi e kishin paralajmëruar se do ta gjobisin, meqë ka bërë shtrirje në Prizren, e këtë nuk e ka deklaruar e as paguar KPM-në.
“Elhami Haziri përmes telefonit të tij celular në rrjetin social Whatsapp i shkruan të pandehurit Luan Latifi se ‘s’po lshon veç 10’, ashtu që, pasi janë dakorduar paratë që i kanë kërkuar ryshfet, më datë 29.06.2021, pas orës, 21, të pandehurit e lartcekur gjithnjë në koordinim mes vete, i pandehuri Arben Bilalli pas bisedës telefonike që ka pasur me të dëmtuarin Elhami, janë takuar në parkingun e restorantit ‘Garden’ në Gjilan në veturën e makës BMW-X5 pronë e të pandehurit Arben Bilalli, i dëmtuari Elhami para se t’ia japë shumën prej 8.000 euro, kërkon nga i pandehuri Arben që ta kontaktojë në telefon të pandehurin Luan Latifi për t’u bindur se Luani e ka marrë vesh se paratë janë dhënë. Atëherë të dy dalin nga vetura dhe në hyrje të restorantit në prezencë të të dëmtuarit Elhami, i pandehuri Arben Bilalli i telefonon në rrjetin social Whatssap të pandehurit Luan Latifi duke i thënë, ‘kreva punë dhe tash po eci’, thuhet në aktakuzë.
Hetimi i Prokurorisë Themelore të Prishtinës është bërë me masa të fshehta, me përfshirje të drejtorisë për Krime Ekonomike të Policisë. Siç përshkruhet në aktakuzë, pasi Elhami Haziri ia ka dhënë paratë Arben Bilallit, ishte nën vëzhgim të policisë më 26 qershor 2021.
Ryshfeti prej 8.000 eurosh po atë ditë iu gjet Bilallit në zarf pasi u ndal nga policia rrugës nga Gjilani për në Prishtinë. Siç shkruhet në aktakuzë Bilalli ka qenë në komunikim të rregullt me Latifin përmes aplikacionit Whatsapp.
“Pastaj janë kthyer në veturën e të pandehurit Arben dhe duke zbatuar masa të fshehta në plotëni dhe gjithnjë në vëzhgim të Policisë, i pandehuri Arben Bilalli në veturën e tij, nga i dëmtuari ka marrë ryshfet shumën prej 8000 eurosh të cilat kishin qenë të vendosura në një zarf dhe është nisur në Prishtinë, duke u kthyer, i pandehuri Arben ka vazhduar komunikimin në Watsapp me të pandehurin Luan dhe rrugës për në Prishtinë është ndaluar nga Policia, me ç’rast në veturën e të pandehurit Arben është gjetur shuma e parave prej 8000 eruosh, të cilat janë sekuestruar nga hetuesit policorë”, shkruhet në aktakuzë.
Kompaninë “Telkos”, e dëmtuar në këtë proces gjyqësor, trupi gjykues e ka drejtuar për kërkesë për kompensim të dëmit përmes procedurës civile.