Botë

Estonia thotë se aeroplanët luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore

Estonia

Aeroplanët luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme në Tallinn, duke e cilësuar incidentin si “paturpësi të paprecedentë”.

Sipas njoftimit, tre avionë MiG-31 të Rusisë “kanë hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë pa leje dhe kanë qëndruar aty për gjithsej 12 minuta” të premten mbi Gjirin e Finlandës.

Ministria konfirmoi se ka thirrur të ngarkuarin me punë të ambasadës ruse për t’i dorëzuar një notë proteste. Mediat estoneze raportojnë se aeroplanët rusë kishin fikur transponderët teksa fluturonin mbi hapësirën ajrore të një shteti anëtar të NATO-s.

Ushtria ruse ende nuk ka dhënë një koment publik mbi ngjarjen.

Në një deklaratë, ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, e quajti shkeljen e së premtes “paturpësi të paprecedentë”.

“Testimi gjithnjë e më i shpeshtë i kufijve nga Rusia dhe rritja e agresivitetit të saj duhet të përballen me një rritje të shpejtë të presionit politik dhe ekonomik”, ka thënë Tsahkna.

Sipas tij, gjatë vitit 2025 Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë gjithsej katër herë.

Reagime të mëdha nxiti edhe javë më parë shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga aeroplanët rusë.

NATO-ja i ndali aeroplanët rusë mbi Estoni

2 o. më parë / 19 sht 2025 17:56
NATO-ja i ndali aeroplanët rusë mbi Estoni

Zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart, ka konfirmuar se aeroplanë luftarakë rusë kanë hyrë në zonën ajrore të Estonisë. Siç ka bërë të ditur ajo, të paktën tre aeroplanë rusë janë ndaluar nga forcat e NATO-s.

“Më herët sot, aeroplanë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë. NATO-ja u përgjigj menjëherë dhe pengoi aeroplanët rusë. Ky është shembull tjetër i sjelljes së pamatur ruse dhe aftësisë së NATO-s për t’u përgjigjur”, ka thënë Hart, në një komunikatë për mediat.

E sipas Ushtrisë së Estonisë, aeroplanët rusë u penguan nga forcat italiane me bazë në Amari të Estonisë, si pjesë e një misioni të mbrojtjes ajrore mbi detin baltik.