Arbëri

Rohde - Listës Serbe: Shëndetësia e arsimi brenda sistemit kosovar, nën patronazh të Asociacionit

Jorn Rohde

Foto: Driton Paçarada

Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgënjeshtruar deklaratat e Listës Serbe se integrimi i institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në sistem të Kosovës nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë negociate apo marrëveshjeje.

“Dua të theksoj se kjo thjeshtë s’është e vërtetë”, ka thënë ai në platformën “Bluesky”.

Sipas tij, integrimi parashihej me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me marrëveshjen e Ohrit.

“Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013, përfshinte gjashtë pika që lidheshin me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa marrëveshja e fundit e Ohrit mbi udhërrëfyesin e implementimit të marrëveshjes së nënshkruar më 2013, përcakton qartë integrimin e institucioneve të lartpërmendura në sistemin institucional të Kosovës, nën patronazhin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Rohde.

Rohde ka shtuar se deklaratat e Listës Serbe ndaj dokumenteve të detyrueshme, rrisin tensionet në periudhën para zgjedhjeve të 12 tetorit.

“Prandaj do të bëja ftesë që të gjithë të përmbahen nga deklaratat e tilla arbitrare për të cilat mund të thuhet edhe qëllimkëqija, e që mund të dëmtojnë proceset demokratike siç janë zgjedhjet e ardhshme”, ka përfunduar ai.

Të premten, para Qendrës Klinike në Mitrovicë të Veriut u mbajt një protestë e punëtorëve shëndetësorë, pas një bastisjeje që kreu Policia një natë më herët mbi bazën e një sinjalizimi për armë. Drejtori i kësaj qendre, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka thënë se nuk do të ketë asnjë integrim të sistemit shëndetësor e arsimor të Serbisë në sistemin e Kosovës. Ai madje ka thënë se kjo nuk është paraparë në asnjë marrëveshje.