Ministria e Bujqësisë ka filluar aksionin për rrënimin e dy objekteve në pronën e saj, ku pritet të ndërtohet godina e këtij dikasteri qeveritar. Aksioni u kundërshtua nga kandidati për deputet i PDK-së, Qëndrim Kryeziu që është familjar me pronarin e pompës së derivateve, e cila u shemb. Ai u shoqërua në Polici, por u lirua më pas
Ministria e Bujqësisë ka filluar aksionin për rrënimin e një pompe të derivateve që ndodhej përballë Agjencisë së Inteligjencës, të cilën e kishte mbyllur dy vjet më parë, pasi kishte konstatuar se është ndërtuar në pronën e kësaj ministrie.
Ani se biznesi ishte mbyllur në 2024 dhe Ministria kishte shpallur tender për rrënimin e saj në gusht të atij viti, kontrata për rrënim është nënshkruar tek të martën, e tri ditë më pas kompania fituese nisi punën në teren. Në kuadër të kësaj kontrate, do të rrënohet edhe një depo me materiale ndërtimore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAksioni u kundërshtua nga kandidati i PDK-së për deputet, Qëndrim Kryeziu, që është familjar i pronarit të biznesit, e i cili më pas u shoqërua në Polici.
“Sot rreth orës 10:30 një person është shoqëruar në stacion policor për shkak të moszbatimit të urdhrave të zyrtarit policor, për largim nga vendi ku po zhvilloheshin punime. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, ka konfirmuar Policia.
Kryeziu është liruar më pas me procedurë të rregullt. E në një video të shkurtër pas lirimit, ka thënë se nuk rrënohet objekti pa vendim të gjykatës.
“Nuk rrënohet objekti këtu pa vendim të Gjykatës, por këta kanë ardh me ba filma”, ka thënë ai.
Në terren ku po zhvillohej aksioni ishte edhe ministri i Bujqësisë, Armend Muja. I pyetur nëse rrënimi ka ndonjë lidhje me fushatën zgjedhore, ai ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se planifikimi dhe nisja e punimeve ishte bërë më herët.
“Jo, nuk ka të bëjë aspak me fushatën zgjedhore. Është një punë normale. Ne kemi planifikuar që kjo të bëhet diku në prill, mirëpo janë vazhduar procedurat. Nuk ka të bëjë asgjë me fushatën zgjedhore. Pronën publike po ia kthejmë popullit të Kosovës”, ka thënë Muja.
Ai ka theksuare se ky aksion ka për qëllim rikthimin e pronave publike në funksion të qytetarëve.
Dua të jem shumë i qartë: të gjitha pronat që i takojnë shtetit do t’i kthehen shtetit. Nuk do të ketë kompromis me uzurpimet, ndërtimet pa të drejtë dhe shfrytëzimin e paligjshëm të pronës publike”, ka theksuar ministri në detyrë i Bujqësisë.
Deklaratës së ministrit Muja i është kundërpërgjigjur Viktor Cakiqi, pronari i depos “Liria FC”, objekt ky që po ashtu parashihet të rrënohet.
“Ne uzurpatorë nuk jemi, sepse qe 26 vjet paguajmë qira. Madje vetë ministri ka qenë ai që na ka thënë se do ta vazhdojmë kontratën edhe për dy vjet. Pastaj, pas dy muajsh, na erdhi njoftimi për ta liruar vendin. Këtë po e bëjnë vetëm për fushatë zgjedhore. Kemi tentuar të bisedojmë me ministrinë, por nuk kanë pranuar. Na kanë dhënë një muaj afat për ta liruar vendin, ndërsa ne e kemi liruar menjëherë”, ka thënë ai.
Ministrisë i është dashur dy vjet kohë për të lidhur kontratë për rrënimin e këtyre dy objekteve. Kontrata u nënshkrua me kompaninë “Ermal Sylaj” B.I në vlerë afro 66 mijë euro.
Procedura tenderuese është përcjellë me ankesa të shumta të operatorëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nën pretendimin për kritere diskriminuese e favorizuese.
E të premten, Ministria e Bujqësisë përmes e-prokurimit ka njoftuar se ka bërë rekomandimin edhe për një kontratë tjetër, për ndërtimin e objektit të këtij dikasteri qeveritar në vendin ku do të rrënohen objektet. Edhe kjo kontratë është zvarritur nga tetori i vitit të kaluar.
Fillimisht Ministria kishte konstatuar se asnjë nga 14 operatorët ekonomikë nuk i kishte plotësuar kriteret, duke e anuluar tenderin.
Por, pas vendimit të OSHP-së, ajo ka rekomanduar kompaninë “R&Rukolli”, që ka ofertuar me vlerë prej mbi 7 milionë euro, e që është shumë më e lartë se ofertat e tri kompanive të tjera që aplikuan në këtë tender.