Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ftuar edhe zyrtarisht delegatët që të marrin pjesë në kuvendin e kësaj partie që do të mbahet të shtunën. Derisa ka publikuar ftesën për ta, Abdixhiku ka thënë se do të diskutojnë e vendosin për të gjitha çështjet, me vullnet e votë të lirë
Një ditë pasi Avdullah Hoti shpalli kandidaturën për kryetar të LDK-së, kryetari aktual Lumir Abdixhiku, është përgjigjur me një deklaratë publike në të cilën ka thënë se partia nuk i frikësohet anëtarësisë së saj, votës e garës së hapur.
Tek ka bërë të ditur se ka ftuar delegatët e LDK-së për Kuvendin që do të mbahet të shtunën në mesditë, Abdixhiku ka shkruar se nga ky proces do të dalin më të fortë e më të organizuar.
“LDK-ja vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë. Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj”, ka shkruar ai.
Në deklaratën, përmes së cilës shpalli kandidaturën për kryetar të LDK-së, Avdullah Hoti, u zotua se do të marrë barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë.
“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë. Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim; ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon; dhe ku energjia e re bashkohet me përvojën për ta kthyer LDK-në në alternativën kryesore qeverisëse të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti, të dielën.
Analisti Melazim Koci vlerësoi se pas të shtunës, LDK-ja mund të ndahet në dysh, pasi sipas tij, nuk sheh mundësi të ndonjë kompromisi.
“Kandidatura e z. Hotit e bëri të qartë se brenda LDK-së ekzistojnë dy linja, dy fraksione, njëra që synon ruajtjen e këtij lidershipi dhe tjetra që kërkon ndryshime. Praktikisht është paralajmërim i një çarje të re brenda LDK-së, ashtu siç ka ndodhur në këto 15 vite, bukur shpesh brenda kësaj partie”, ka thënë ai në emisionin “60 minuta” të KTV-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025 ka marrë 126 mijë e 133 vota, të cilat ia siguruan 15 ulëse në Kuvend apo pesë deputetë më pak se që pati në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.
Pas kësaj, kryetari Abdixhiku ka njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe më pas do të jenë kuvendarët që do të vendosin nëse do ta pranojnë këtë apo jo, për çka ka nxitur kritika te disa nga figurat më të njohura të partisë.