Instituti Demokratik i Kosovës ka konstatuar se moskonstituimi i Kuvendit sjell pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë funksionale dhe dëm për imazhin e Kosovës. Përfaqësues të kësaj organizate kanë theksuar se përtej dëmit financiar dhe institucional, me moskonstituimin e Kuvendit deputetët e kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës. KDI-ja ka kërkuar nga Kushtetuesja aktgjykim të qartë
Çrregullim institucional serioz, me pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë funksionale ka shkaktuar moskonstituimi i Kuvendit, kanë vlerësuar të enjten hulumtues të Institutit Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë prezantimit të analizës “Bllokada në Kuvendin e Kosovës dhe cenimi i integritetit institucional”.
Mospërfundimi i seancës konstituive, e nisur qysh më 15 prill, sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, e dëmton imazhin e Kosovës në raport me BE-në e organizatat ndërkombëtare dhe e varfëron për qindra-miliona euro.
E, pasi aktgjykimi i kaluar i Kushtetueses nuk i ka sqaruar pasojat ligjore të moskonstituimit të Kuvendit, hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, tha se qartësia është e domosdoshme në aktgjykimin që pritet të publikohet së shpejti.
“Rrezikojmë të hyjmë në një terren të pashkelur kushtetues pas ditës së nesërme, në rast se gjykata nuk del me ndonjë vendim ose nuk i qartëson pasojat juridike të shkeljes së ndërmarrë nga ana e deputetëve me mosrespektim të afatit 30-ditor. Në këtë periudhë, Qeveria ka ndërmarrë dhe ka nxjerrë 64 vendime me impakt financiar prej 71 milionë euro. Prej tyre janë 64 akte të përgjithshme, por nëse shihen më detajisht, vërehet se 50 prej tyre janë vendime kryesisht me karakter financiar. Ndërsa, 12 të tjera janë rregullore apo udhëzime administrative dhe rregulla e vendime të tjera”, ka thënë Cakolli.
Ai ka folur edhe për vendime, sipas tij, të kundërligjshme të ekzekutivit.
“Gjatë kësaj periudhë ka pasur vendime për themelim të komisioneve, komiteteve, bordeve dhe ka pasur të paktën tetë emërime për pozita të larta publike. Edhe pse një pjesë e këtyre vendimeve e procedurave kanë përmbyllur procedurat që në fakt janë nisur para përfundimit të mandatit të qeverisë, fakti që të njëjtat me efekte afatgjata në administratën publike janë finalizuar nga një qeveri në detyrë, është jashtëzakonisht problematik dhe shihet si hapësirë për emërime me prapavijë politike”, ka theksuar Cakolli.
Gjatë kësaj periudhe të ngërçit politik, sipas KDI-së, Qeveria ka ndërmarrë vendime me ndikim të madh politik dhe financiar – përfshirë mbi 70 milionë euro angazhime buxhetore – në mungesë të kontrollit parlamentar dhe jashtë kornizave që i vendos Ligji për Qeverinë.