KEDS është gjobitur me 90 mijë euro për herë të tretë gjatë këtij vitit nga MINTI pas parregullsive të konstatuara në njehsorët elektrikë. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pas kontrolleve dhe verifikimeve të kryera në disa rajone të vendit njoftoi se ka identifikuar devijime dhe shkelje në pajisjet matëse të energjisë elektrike. Nga MINT kanë paralajmëruar masa të mëtejshme dhe kompensim për konsumatorët e dëmtuar
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka gjobitur sërish Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, pasi ka gjetur se dhjetëra njehsorë elektrikë të saj kishin afat të skaduar të vlefshmërisë.
Kjo kompani është gjobitur me 90 mijë euro për 18 njehsorë me afat të skaduar dhe MINTI i ka kërkuar KEDS-it t’i dëmshpërblejë menjëherë konsumatorët e dëmtuar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjoba janë dhënë pas verifikimit të ankesave të konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë gjatë muajit prill.
“MINTI gjatë muajit prill 2026, ka vazhduar me verifikimin e ankesat e konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë. Komisioni ad hoc, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.
Në njoftimin e kësaj ministrie theksohet se nga 54 njehsorë të testuar në laboratorët e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, 38 kanë rezultuar me devijime kohore e 18 të tjerë me afat të skaduar.
Po ashtu është bërë e ditur se ankesat e konsumatorëve janë përcjellë në KESCO, nga e cila është kërkuar kompensim i menjëhershëm për qytetarët e dëmtuar.
“Ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore, janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar. Raportet zyrtare nga komisioni verifikues do të dorëzohen edhe në organet e drejtësisë si prova për zhvillimin e procedurave hetimore të nisura”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.
KEDS-i më herët pati njoftuar se do të dëmshpërblehen të gjithë konsumatorët e dëmtuar nga pasaktësitë e mundshme tarifore në faturimin e energjisë elektrike.
Kjo është gjoba e tretë ndaj KEDS-it. Fillimisht është ndëshkuar me 6 mijë euro për dy njehsorë me afat të skaduar, e më pas edhe me 30.000 euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Gjobat u ndanë disa muaj pasi KOHA pati raportuar për parregullsi në njehsorët elektrikë, e më pas për këtë çështje alarmoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë, në fillim të muajit prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të rrymës.