LAJMET E MBRËMJES

Kolona të gjata në Merdar

Më shumë se katër orë kanë qenë pritjet e mërgimtarëve në kolonën kilometërshe në pikën kufitare në Merdar, në dalje të Kosovës. Ata kanë thënë se këto pritje po bëhen të bezdisshme dhe se ky nuk është kufiri i vetëm ku u duhet të presin. Megjithatë, mërgimtarët thonë se ia vlen t’i kalosh pushimet në atdhe

Të bezdisshme i kanë konsideruar mërgimtarët pritjet nëpër kufij. Të shtunën, ata që po udhëtonin nëpërmjet pikës kufitare në Merdar, kanë pritur më shumë se katër orë në kolonën kilometërshe.

Shemsedin Baxhaku nga Prizreni, që po udhëtonte për në Slloveni, ka qenë njëri prej tyre. Ai ka thënë se është duke pritur prej orës 8 e gjysmë të mëngjesit, ndërkohë që ora po shënonte 12 e gjysmë.

“Afër 4 orë, pritjet janë të gjata. E bezdisshme bajagi është, mirëpo tash situata e kësi lloji, s’kemi çka me bërë tash. Për besë, më ka ndodhur dy herë edhe ma shumë kemi pritur, edhe ma gjatë, deri në tetë orë, këtë herë më pak, deri në 4 orë, po prapë e bezdisshme është kjo për ne kurbetçinjtë, tepër rrugë e gjatë, normal lodhje”, ka thënë ai.

Ndërsa Gani Zenelaj nga Suhareka, që po udhëtonte për në Gjermani, ka thënë se për shkak të pritjeve edhe nëpër kufij të tjerë, duhet t’i llogarisin 24 orë rrugë.

“Sot në mëngjes kam ardhur në orën 09:00 qe 4 orë e gjysmë. Pritja është shumë e lodhshme, na vijmë këtu në pushim 3 javë, e rrugës gjithë po kemi problem, se 3 orë këtu, 3 orë atje-6 orë, deri në 10 orë na shkojnë nëpër kufij. Është problem shumë i madh, po s’kemi çka me bërë. Po pajtohemi me atë, e kemi zgjedhur vetë këtë rrugë. Duhet me i llogaritur deri në 24 orë me makinë, se nuk presim vetëm këtu, edhe në të tjerë kufij”, është shprehur Gani Zenelaj.

Edhe Valdet Tarllamishaj, një tjetër mërgimtar, ka thënë se pritjet nëpër kufij janë të lodhshme.

“Qe 4 orë e gjysmë jemi t’u prit. Jemi lodhur boll t’u shëtit nëpër Kosovë e tash deshëm pak si ma shpejt me shkuar. E tash edhe t’u prit po lodhemi boll e sigurisht na bie me prit edhe diku tjetër, Hungari duhet me prit. Kështu që po më doket pak si pa lidhje, po nuk është te na faji, nuk besoj, në anën tjetër”, ka thënë ai.

Ndërkohë Nazmi Buzhala, që po udhëtonte për në Francë, është ankuar edhe për shkak të hyrjeve pa rend të udhëtarëve.

“Prej orës 08:00 jemi t’u prit në kufi, ma shumë po na bezdisin këta që po hyjnë pa rend, po vijnë e po hyjnë këtu prej atje, na po presim nga 4 orë, tjerët po hynë pa rend. E lodhshme është (pritje v.j.) e bezdisshme është, po ia vlen për Kosovën, na ka çua zori atje”, është shprehur ai.

Që nga paraditja e së shtunës, kolona e automjeteve në pikën kufitare në Merdar, në dalje të Kosovës, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka qenë 1 kilometër e gjysmë, kurse pritjet deri në katër orë. Deri në 3 orë mërgimtarët kanë pritur edhe në Mutivodë, 2 orë te Dheu i Bardhë dhe 1 orë në Muçibabë. Kurse në hyrje të Kosovës pothuajse nuk ka pasur pritje në asnjërën prej pikave kufitare.