Ministri i Jashtëm dhe kandidati për president, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Vetëvendosje është e hapur për një president jopartiak, por që nuk është pjesë aktive e strukturave politike. Ai ka theksuar se përgjegjësia për një kandidat konsensual i takon opozitës, ndërsa ka përjashtuar se është diskutuar ndonjë emër konkret apo marrëveshje politike deri më tani
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se Vetëvendosje është e hapur për një emër jopartiak për president.
Konjufca ka thënë se kriteri nuk është që i propozuari të mos ketë qenë asnjëherë pjesë e ndonjë partie, por që tash nuk është pjesë e strukturave të subjekteve politike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Të mos jetë drejtpërdrejt i partive politike ky president nëse vendoset konsensual. Pra të mos jetë drejtpërdrejt prej kryesive, të jetë kryetar i tyre apo kështu shumë i afërt, që vjen prej rangjeve të strukturave të partive, të mos jetë i tillë”, ka thënë Konjufca të enjten.
Ai ka theksuar se nuk është diskutuar mundësia që president të jetë kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, dhe ka thënë që mundësia e një kandidati që buron nga një marrëveshje politike nuk është diskutuar.
Konjufca ka përsëritur qëndrimin se Vetëvendosjes nuk i takon të propozojë një kandidat konsensual.
“Nuk është përgjegjësi e jona të propozojmë emër jopartiak. Ata po thonë nuk bën ky, atëherë nëse nuk bëj unë, kush është emri më fal, nuk kemi, e po qysh, nuk bëj unë apo, cili bën pra”, ka thënë ai.
Gjatë ditës së enjte, kryeministri Albin Kurti ka thënë se për çështjen e presidentit nuk ka asgjë për të deklaruar, përpos që janë në diskutime me LDK-në.
“Kur të ketë diçka të re, do t’ju njoftojmë”, ka thënë ai.
Pas 12 ditësh përfundon afati që Gjykata Kushtetueses e ka caktuar për të zgjedhur presidentin. Mospërmbyllja e suksesshme e këtij procesi nënkupton zgjedhje brenda 45 ditëve.
Konjufca një ditë më parë ka thënë se Vetëvendosje do ta përkrahte një kandidat, për të cilin pajtohen së paku dy parti opozitare.
Për profesorin e Shkencave Politike, Basri Muja, deklarata e Konjufcës është sinjal i rëndësishëm pozitiv. Mirëpo ai është skeptik se dy parti nga opozita mund të merren vesh për një emër të përbashkët.
“Është e vështirë që këto parti të arrijnë të dakordohen rreth një kandidati të përbashkët, por po shpresojmë dhe dua të besoj që kjo klasë politike, opozita në këtë rast do të jenë në krye të detyrës dhe do ta vlerësojnë rëndësinë e momentit dhe vendit do t’i japin institucione reprezentuese”, është shprehur Muja.
Konjufca bashkë me Fatmire Mulhaxha-Kollçakun janë dy kandidatët e Vetëvendosjes për president, të prezantuar në seancën e 5 marsit, e cila u ndërpre për mungesë kuorumi.