Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kosova merr nën kontroll stacionin hekurudhor në Zveçan

Zveçan

Autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, pranë kompleksit “Trepça”. Në objekt u vendos flamuri i Kosovës si dhe një tabelë e re në gjuhën shqipe dhe atë serbe. Aksioni u ndërmor me asistim të Policisë dhe në praninë e disa ministrave në detyrë.

Me asistim të Policisë, e në praninë e disa ministrave në detyrë, autoritetet e Kosovës morën të enjten nën kontroll objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, pranë kompleksit “Trepça”, që është menaxhuar nga strukturat ilegale serbe.

Gjatë aksionit u largua mbishkrimi në alfabetin cirilik nga objekti dhe u vendos një tabelë e re në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe flamuri i Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se veprimi nuk ka të bëjë me fushatën zgjedhore, por me zbatimin dhe vendosjen e rendit në të gjithë territorin e Kosovës.

“Jo, kjo është pjesë e detyrës sonë për të siguruar që rendi dhe ligji të jenë të pranishëm kudo, përfshirë të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Kjo është një nga institucionet e fundit që ende funksiononte nën strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë”, tha Sveçla. 

E ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ndërmarrjet publike që kanë aksionar Qeverinë e Kosovës, mbetën të përkushtuara për të marrë nën kontroll asetet e veta.

“Nga sot, edhe strukturat paralele të hekurudhave të Serbisë janë ndalur e ‘Infrakosi’ ka nën kontroll pronën e vet, përkatësisht stacionet hekurudhore në komunat veriore të vendit. Kjo pasi ndërmarrjet publike ‘Ibër Lepenci’, ‘Posta’, ‘Telekomi’ dhe ‘Ujësjellësi’ i Mitrovicës, kanë bërë të njëjtën dhe/ose ndërtuar infrastrukturën për të ofruar shërbime në komunat veriore”, tha Rizvanolli. 

Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se ky aksion përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e rendit institucional.

“Ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës”, tha Basha. 

Pas marrjes nën kontroll të stacionit në Zveçan, njësoj është vepruar edhe në Leposaviq dhe Leshak.