Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

DnV: Kurti e Abdixhiku më të sulmuarit online

Eugen Cakolli

Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale ka shoqëruar parafushatën zgjedhore, thuhet në një hulumtim të Demokracisë në Veprim. Cak i sulmeve, sipas DnV-së, më së shumti kanë qenë kandidatet për deputete, ndërsa nga kandidatët për kryeministër, më i sulmuari online rezulton Albin Kurti.

Kandidatet gra për deputete kanë qenë më së shumti cak i gjuhës së urrejtjes në komentet në rrjetet sociale gjatë parafushatës, tregon një hulumtim i koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Në raportin e prezantuar nga hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, thuhet se nga kandidatët për kryeministër, më së shumti cak i komenteve me gjuhë të urrejtjes ka qenë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndërsa më së paku kandidati i AAK-së, Ardian Gjini.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, është përmendur në rreth 1000 artikuj në të cilët ka pasur 100 mijë komente prej të cilave 13 mijë komente, përkatësisht rreth 13% kanë pasur elemente të gjuhës së urrejtjes apo gjuhës tjetër nxitëse. Kandidati tjetër për kryeministër, Lumir Abdixhiku, përgjatë fushatës parazgjedhore është përmendur në rreth 200 artikuj në të cilët kemi evidentuar 7000 komente prej të cilave 400 sosh apo rreth 6% kanë pasur gjuhë të urrejtjes”, ka thënë Cakolli. 

Por në komentet ndaj kandidateve për deputete, përqindja e atyre që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, sipas Cakollit, është shumë më e lartë.  

“Zonja Ganimete Musliu e cila është përmendur në 66 artikuj, me rreth 3800 komente nga të cilat rreth 20% prej tyre kanë pasur elemente të gjuhës së urrejtjes. Së dyti është kandidatja, Fitore Pacolli, e cila është përmendur në 117 artikuj prej të cilave 16% e tyre kanë elemente të gjuhës së urrejtës”, ka thënë Cakolli. 

Aktivistë të Demokracisë në Veprime kanë ngritur shqetësime edhe për disa vendime të Qeverisë në detyrë gjatë periudhës parazgjedhore. Sipas Cakollit, subvencionimi i linjave ajrore me 2 milionë euro dhe ndarja e 105 milionë eurove për shtesa janë problematike, pasi, sipas tij, cenojnë parimin e garës së barabartë dhe zgjedhjeve të ndershme.

E, në një konferencë për media, për vendimet e kësaj natyre është ankuar edhe kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza. 

“Të mos lejoi përdorimin e resurseve shtetërore në funksion të fushatës. Deri tash, veprime që kanë ndodhur nga pushteti garën e bëjnë të pandershme dhe të pabarabartë. Përdorimi i resurseve shtetërore, i parasë publike në funksion të zgjedhjeve dhe të maksimalizimit të votës për partinë në pushtet nuk është gjë e duhur”, ka thënë Hamza. 

Fushata për zgjedhjet e 7 qershorit ka nisur të enjten, e do të përfundojë në momentin kur hapen Qendrat e Votimit. Por, tubime me qytetarë e aktivitete partiake, subjektet politike i kanë zhvilluar edhe gjatë javëve që shkuan.