Afro 16 mijë qytetarë më shumë do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit krahasuar me ato të 28 dhjetorit 2025. Në zgjedhjet e parakohshme do të jenë mbi 2 milionë votues, e aq do të jetë edhe maksimumi i shpenzimeve të partive politike në fushatë
2 milionë e 92 mijë qytetarë do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Po kaq para, 2 milionë e 92 mijë euro, do të ketë të drejtë t’i shpenzojë një parti politike gjatë fushatës zgjedhore që do të zgjasë 10 ditë, nga 28 maji deri në hapje të qendrave të votimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy kufizim i shpenzimeve të fushatës është vendosur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të martën, mbi parimin një euro për një votues.
“Kufizimi i shpenzimeve është llogaritur në 1 euro për votues. Në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së që të aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore në vlerën prej 2,092,202 euro. Pra, kjo lidhet me numrin e votuesve në listën preliminare, sipas ekstraktit të marrë më 30 prill 2026”, ka thënë Besnik Buzhala, drejtori i Sekretariatit të KQZ-së.
E në listën e votuesve sipas KQZ-së, janë shtuar afro 16 mijë persona.
“Lista preliminare përmban një numër prej 2 milionë e 92 mijë e 202 votuesve që krahasuar me zgjedhjet e fundit që janë mbajtur më 28 dhjetor është rritur prej 15 mijë e 912. Pas zgjedhjeve të kaluara janë larguar gjithsej 6 mijë 219 votues, prej të cilëve 5826 janë larguar si të vdekur, 393 për shkak të humbjes së shtetësisë. Ndërkaq, numri i votuesve që votojnë për herë të parë është 22 mijë e 131, prej tyre 16 mijë e 933 janë votues të rinj që kanë mbushur moshën 16 vjeç prej 29 dhjetorit deri më tani”, ka thënë Alban Krasniqi, anëtar i LVV-së në KQZ.
Ndërkaq fletët e votimit do të jenë rreth 250 mijë copa më pak sesa numri i votuesve.
Megjithatë, në mbledhjen e KQZ-së është thënë se numri i saktë i tyre do të vendoset në një fazë të mëvonshme të procesit zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve javën e kaluar ka miratuar Rregulloren e re për vëzhguesit e zgjedhjeve, e cila parasheh ndalimin e certifikimit të vëzhguesve që kanë probleme me ligjin, ndërsa nuk e ka ndryshuar edhe rregulloren që përcakton kriteret për angazhimin e komisionerëve.
Për këtë ka reaguar të martën Demokracia në Veprim duke e cilësuar si diskriminim dhe cenim të parimit të barazisë para ligjit.
Gjithashtu, në DNV janë ankuar edhe për disa nene të tjera të kësaj rregulloreje për të cilat i kanë kërkuar KQZ-së që të largojë dispozitat që tejkalojnë bazën ligjore.
“Është shtuar dispozitë [Neni 3.4] që i japin KQZ-së autoritet përtej ligjit që, sipas vlerësimit të saj, të kërkojë dokumente shtesë lidhur me burimet e financimit të organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve. Vëzhgimi i zgjedhjeve nuk kushtëzohet me ekzistencën e fondeve të dedikuara, meqë e drejta për vëzhgim, si e drejtë qytetare mund të ushtrohet edhe mbi baza vullnetare. Për më tepër, çështja e burimit të financimit të OJQ-ve është e rregulluar me legjislacion tjetër, monitorimi i së cilave është në përgjegjësi të institucioneve tjera shtetërore”, thuhet në reagimin e Demokracisë në Veprim.
Sipas një raporti të mëhershëm të kësaj organizate, gjatë procesit të numërimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë manipuluar rreth 250 mijë vota për kandidatë. Kjo çoi në arrestimin e qindra komisionerëve si dhe një numri më të vogël të vëzhguesve.
Për dallim nga vëzhguesit, të cilët kanë vetëm detyrën e monitorimit dhe raportimit e shkeljeve gjatë procesit, komisionerët menaxhojnë vendvotimet dhe janë drejtpërdrejt përgjegjës për numërimin e votave.
Ndërkohë, KQZ-ja ka njoftuar të martën po ashtu se nga e mërkura fillon afati për aplikim dhe regjistrim të votuesve jashtë vendit, e që do të zgjasë deri më 17 maj.
Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të pestat në 16 muajt e fundit, nëse llogariten edhe dy rundet e lokaleve.