LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Deputetët e opozitës janë nomadë, s’duan ta kenë shtëpinë e tyre

Ka dështuar të enjten edhe mbledhja e 34-t e deputetëve për ta konstituuar Kuvendin. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka quajtur nomadë deputetët opozitarë, për të cilët ka thënë se nuk duan që ta kenë shtëpinë e tyre, duke iu referuar me këtë rast Kuvendit. E deputetët e partive që deri më tash kanë qenë në opozitë, e kanë akuzuar Kurtin se e ka marrë peng legjislativin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka quajtur nomadë deputetët opozitarë, teksa ka theksuar se ata janë duke e kundërshtuar votimin për funksionalizimin e Kuvendit.

Termi “nomadë”, i cili në terminologjinë zyrtare përdoret për t’i përshkruar grupet e njerëzve që nuk kanë vendbanim të përhershëm dhe që jetojnë duke udhëtuar vazhdimisht, Kurti ka theksuar se u përshtatet deputetëve që nuk duan ta kenë “shtëpinë së cilës i përkasin”, duke iu referuar Kuvendit.

“Kuvendi është shtëpia e deputetëve. Ka disa deputetë që s’po duan të kenë shtëpi, s’po duan që Kosova të ketë Kuvend, sepse ende s’i ka ardhur radha Qeverisë Kurti 3. Ata janë në fazën që s’duan që Kosova të ketë Kuvend. S’ka Kuvend që i nevojitet ndonjë deputeti sikur atyre opozitarë. Deputetëve opozitarë dhe të pakicës u duhet Kuvendi, si mënyrë dhe mjet i vlefshëm, më shumë se mazhorancës. Deputetët e mazhorancës po e duan Kuvendin, e deputetët opozitarë, që s’kanë Qeveri, s’po e duan Kuvendin. Deputetët opozitarë që s’duan që Kosova të ketë Kuvend, i quaj deputetë nomadë”, ka thënë Kurti të enjten, gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit së pishinës gjysmolimpike në Podujevë.

Ai e ka kualifikuar të paarsyeshme praninë e deputetëve brenda seancës së Kuvendit kur “nuk marrin pjesë me asnjë formë votimi”.

“Synimi ynë është që të kemi Kuvend. Fatkeqësisht deputetët opozitarë po e pengojnë votimin e këtij komisioni (për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar) në mënyrë të brutale. Kjo është shkelje...Pra, ne po shkojmë të votojmë, e ata që s’po votojnë është mirë t’i pyesni pse po shkoni. Unë s’kam munguar asnjëherë si kryeministër në detyrë, e as si deputet. Duhet t’i pyesni ata kur po vijnë, pse po vijnë. Unë s’e di pse po vijnë”, është shprehur ai.

Këtë deklarim, Kurti e ka bërë, pasi që të enjten është përmbyllur pa sukses edhe përpjekja e 34-t e deputetëve për konstituimin e Kuvendit. 

Në vazhdimin e së enjtes të seancës konstituive është nxjerrë në votim propozimi për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, mirëpo vendimmarrja nuk është mundësuar, pasi që, sikurse në 25 herët paraprake, deputetë të Partisë Demokratike (PDK), ata të Lidhjes Demokratike (LDK), të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe të Listës Serbe (LS) nuk kanë marrë pjesë në votim.

“51 deputetë kanë dhënë votën për, 1 ka qenë kundër, abstenim nuk ka. Nuk kemi kuorum”, ka thënë kryesuesi Avni Dehari, duke i përmbyllur punimet e seancës.

E, pas seancës, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) që të menaxhojë me detyrën që e ka marrë, bazuar në rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit.

“Takimi i 34-t, konfirmoj edhe një herë se çështjet politike dhe zgjedhjet e organeve deri në konstituim dhe në fund finalizim, nuk mund të zgjidhen me procedura, por duhet të zgjidhen me marrëveshje politike. Çështjet që e kanë frymën e rregulloreve të Kuvendit dhe çështjet që ndërtohen për procedurë, nuk i zgjidhin problemet politike asnjëherë”, ka theksuar Haziri.

E, deputetja dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka akuzuar LVV-në se dëshiron që të ushtrojë diktat mbi partitë e tjera dhe jo të ofrojë zgjidhje.

“Nuk ka fije logjike që institucionet e Kosovës të mos konstituohen, në mënyrë që të jemi në gjendje të adresojmë sfida të shumta, hallet e shumta të qytetarëve, për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe ambicies së Haxhiut. Kosova është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme sesa secili prej nesh”, ka thënë ajo.

E Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka thënë se kryetari i LVV-së duhet që t’i vendosë një kufi situatës së krijuar në Kuvend.

“Për fat të keq jemi duke e paguar çmimin që i kemi besuar një mashtruesi. Dhe, për mua nuk është befasi, e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marrë fund dikur. Pra, mashtruesi nuk mundet pa kufi me u tallë me një vend”, ka theksuar Haradinaj.

Prej më se një muaji, AAK-ja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar në Kuvend, porse ende nuk ka marrë një interpretim.

Për këtë, deputetja e LVV-së dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kushtetuesja është vonuar që të nxjerrë aktvendim.

“Gjykata Kushtetuese është vonuar, duhet ta themi hapur, sepse nuk ka kuptim që një gjë kaq e thjeshtë, sepse AAK-ja bashkë me LDK-në dhe PDK-në, e kanë kontestuar komisionin për votimin e fshehtë. Ose gjykata e bën të pranueshme këtë lëndë dhe e trajton, nëse kryesuesi ka pasur të drejtë për komisionin për votimin e fshehtë.. ose ta shpallë të papranueshëm”, ka thënë ajo.

Një alternativë për daljen nga ngërçi e pati propozuar javën e shkuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tek e ka shpalosur agjendën 15-pikëshe për një Qeveri të Unitetit. 

Abdixhiku e ka pasur të mërkurën një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, porse asnjëri prej tyre nuk kanë shpalosur hollësi mbi temat e diskutuara dhe për qëllimin e takimit.

“Takim shumë miqësor me zotëri Limajn, asgjë më shumë se kaq”, ka thënë Abdixhiku.

E Limaj ka thënë se me kryetarin e LDK-së ka “në shumë drejtime një këndvështrim”.

“Po, jemi takuar. Kemi pasur takim shumë të mirë, kemi biseduar për të gjitha temat. Kemi pasur një bisedë shteruese dhe ka qenë takim jashtëzakonisht i mirë... Në shumë drejtime kemi një këndvështrim të zhvillimeve dhe e rëndësishme që po ndodhin takime. Ne nuk mund t’i zgjidhim vetë problemet, por ne e shprehim gatishmërinë”, është shprehur ai para nisjes së seancës konstituive.

Të shtunën, deputetët do të mblidhen për herë të 35-të, në përpjekje për ta përmbyllur seancën konstituive të nisur më 15 prill. Krahas kryetarit të Kuvendit, deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për të cilët kërkohen 61 vota për, në mënyrë që më pas të hapet rruga për formimin e ekzekutivit.