Në mbledhjen e 11-të të ekzekutivit, në të cilën u miratuan disa projektligje, vendime, rregullore e koncept-dokumente, kryeministri Albin Kurti foli për Projektligjin për Byronë Shtetërore, që ka kaluar në lexim të parë. Sipas Kurtit, pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme, kurrë nuk është fituar
Kryeministri Albin Kurti është shprehur i bindur se pas miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore nuk do të ketë më “rrogë të vogël e fitim të madh”.
Në mbledhjen e 11-të të Qeverisë, të hënën, ai tha se për jetësimin e këtij projektligji është e domosdoshme që ai të kalojë edhe në lexim të dytë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Byroja do të bëhet, sepse me të përfundimisht merr fund ajo parulla që kurrë nuk do të duhej të na përsëritej në të ardhmen, ‘Rroga e vogël, fitimi i madh’. E kemi thënë edhe më herët: Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme, kurrë nuk është as private e as legjitime, sepse ajo kurrë nuk është fituar”, ka theksuar Kurti.
Po ashtu Kurti e cilësoi lajm të mirë arrestimin e Stefan Raduloviqit, i dyshuar për sulmin në Banjskë, por, sipas tij, drejtësia do të vihet plotësisht në vend vetëm kur i tërë grupi i Milan Radoiçiqit të dalë para drejtësisë.
Mes 24 pikave në rend të ditës u miratuan edhe projektligjet për ratifikimin e tri protokolleve shtesë të CEFTA-s dhe një me EFTA-n.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e çmoi lart marrëveshjen me EFTA-n, organizatë që e përbëjnë Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda.
“Vlen të përmendet se sa i përket volumit tregtar me këto vende, eksportet janë vazhdimisht në rritje – nga 77.5 milionë euro në vitin 2023, në 87.5 milionë euro në vitin 2024, ndërsa vitin që lamë pas, eksporti në vendet anëtare të EFTA-s ka arritur në 100.4 milionë euro, me një rritje prej 14.7% krahasuar me vitin paraprak”, ka bërë të ditur Kusari-Lila.
Në mbledlhje u miratua edhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, theksoi se me këtë synohet rritja e kapaciteteve inspektuese.
“Me këtë hap fuqizojmë inspektoratin duke e ngritur në nivel të agjencisë shtetërore dhe synojmë rritjen e kapaciteteve inspektuese dhe avancimin e kushteve në tërë territorin e Kosovës”, ka deklaruar Bogujevci.
Qeveria ka miratuar mes tjerash edhe propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, vendimin për themelimin e trupave institucionale për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe vendimin për shpalljen e Organizatës së Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.